Senne Lammens u ndje i nderuar nga krahasimet që tifozët e Manchester United bënë mes tij dhe legjendës Peter Schmeichel, por theksoi se ka ende shumë për të dëshmuar përpara se të përmendet në të njëjtën fjali me të.
Portieri belg iu bashkua Unitedit nga Royal Antwerp në fund të afatit kalimtar dhe që atëherë ka zhvilluar tre ndeshje.
Ai debutoi me një ndeshje pa pësuar gol ndaj Sunderland – i pari “clean sheet” i skuadrës këtë sezon – dhe ka pësuar vetëm tre gola nga 14 goditje në kuadrat, me një përqindje pritjesh prej 78.6%.
Në krahasim, Altay Bayindir, i cili luajti gjashtë ndeshjet e para të sezonit, ka një përqindje pritjesh prej 54.2%, duke pësuar 11 gola nga 24 goditje në kuadrat.
Manchester United ishte lidhur gjithashtu me portierin fitues të Kupës së Botës, Emiliano Martínez, përpara se të mbyllte marrëveshjen për Lammens, i cili po e shijon presionin e të qenit numri një i skuadrës.
Gjatë debutimit të tij ndaj Sunderlandit, tifozët e United e përshëndetën me brohoritjen “Are you Schmeichel in disguise?” (“A je ti Schmeichel i fshehur?”), edhe pse 23-vjeçari nuk i dëgjoi në atë moment.
“Sigurisht, dëgjon nga të tjerët se ka shumë presion kur vjen dhe luan për këtë skuadër,” – tha Lammens për “BBC Sport” përpara ndeshjes së Unitedit kundër Nottingham Forest.
“Por unë e mirëpres këtë. Së pari, është një ndjenjë e mrekullueshme të luash për një klub kaq të madh. Duhet të ketë presion – nuk kam frikë prej tij. Nuk i dëgjoj shumë gjatë lojës [brohoritjet], por i pashë më vonë. Nuk jam Schmeichel i fshehur. Jam thjesht Senne Lammens, duke u përpjekur të ndihmoj skuadrën. Është një kompliment i mahnitshëm, por duhet të jesh realist. Ai është një nga portierët më të mirë të të gjitha kohërave. Unë duhet të provoj shumë më tepër për të qenë në të njëjtën bisedë me të”, tha ai.
Manchester United aktualisht është në një seri prej tre fitoresh radhazi në Premierligë – rekordi më i mirë brenda një sezoni që nga shkurti i vitit 2024, kur kishin arritur katër radhazi.
Në fakt, që nga java e tretë e kampionatit, vetëm Arsenali (16) ka marrë më shumë pikë se United (15 – 5 fitore, 2 barazime), ndërsa “Djajtë e Kuq” janë edhe skuadra me më shumë gola të shënuar në këtë periudhë.
Objektivi i United për sezonin 2025–26 është të sigurojë kualifikimin për në Evropë, por Lammens ka një synim afatgjatë:
“Dua të kem një karrierë të gjatë këtu,” – tha ai.
“Dhe ndoshta në fund, të jem në të njëjtën bisedë me njerëz si Schmeichel, [Edwin] Van der Sar dhe [David] de Gea. Kjo do të ishte diçka shumë e bukur”, përfundoi ai./GazetaExpress/








