Serbia ka mbetur pa përfaqësues në agjencinë e Bashkimit Evropian për bashkëpunim juridik, Eurojust, duke ngritur shqetësime për dobësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Pas përfundimit të mandatit të prokurorit ndërlidhës në Hagë, autoritetet serbe nuk kanë emëruar ende një zëvendësim, çka sipas ekspertëve po e vështirëson ndjeshëm shkëmbimin e provave dhe koordinimin me vendet e BE-së.
Ky zhvillim vjen pavarësisht faktit se përmes Eurojust-it, Serbia kishte qasje direkte në të dhëna të ndjeshme nga hetimet ndërkombëtare, përfshirë provat e siguruara pas dekriptimit të aplikacionit Sky, që zbuluan rrjete të mëdha të trafikut të drogës, plane për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e një përfaqësuesi “nën çatinë” e Eurojust-it e kthen Serbinë disa hapa pas, duke e bërë më të ngadalshëm dhe më të komplikuar transferimin e provave.
Ndërkohë, edhe disa hetime ndërkombëtare për trafik narkotikësh raportohet se janë bllokuar, pasi autoritetet serbe nuk kanë nënshkruar marrëveshje për ekipe të përbashkëta hetimore me vendet e Bashkimit Evropian.
Edhe pse Ministria e Drejtësisë në Serbi pretendon se bashkëpunimi vazhdon përmes kanaleve zyrtare, njohës të fushës vlerësojnë se mungesa e përfaqësimit të drejtpërdrejtë në Eurojust po e dobëson dukshëm rolin e Serbisë në hetimet ndërkombëtare kundër krimit të organizuar. /Rel








