Serbia po vazhdon të thellojë bashkëpunimin me Federatën Ruse, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për distancim dhe vendosje të sanksioneve ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
Në këtë kontekst, kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Srbijagas”-it dhe njëherësh një nga figurat më të afërta të Beogradit me Moskën, Aleksandar Vulin, është takuar në Moskë me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Federatës Ruse, Aleksandar Novak.
Sipas njoftimit zyrtar, në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në sektorin e energjetikës. Vulin ka shprehur mirënjohje ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe Qeverisë së Federatës Ruse, duke e cilësuar Rusinë si “partner të besueshëm”, falë të cilit, sipas tij, Serbia gëzon siguri energjetike.
Ai ka shprehur gjithashtu pritjen që në muajin shkurt të vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje afatgjatë të gazit mes Serbisë dhe Rusisë.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri rus Aleksandar Novak ka theksuar se ekziston hapësirë e madhe për zgjerimin e bashkëpunimit energjetik, veçanërisht në fushën e shfrytëzimit paqësor të energjisë bërthamore, si për prodhimin e energjisë elektrike ashtu edhe për qëllime mjekësore.
Novak ka shprehur pritjen që së shpejti të mblidhet edhe Komiteti Ndërqeveritar për tregti, bashkëpunim ekonomik dhe shkencor-teknik, me qëllim të intensifikimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Në njoftim thuhet gjithashtu se Novak ka falënderuar Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, duke veçuar presidentin Aleksandar Vuçiç për, siç u shpreh ai, qëndrimin parimor, respektimin e kontratave ekzistuese dhe ruajtjen e marrëdhënieve mes dy popujve, veçanërisht në lidhje me Industrinë e Naftës së Serbisë.
Zëvendëskryeministri rus e ka cilësuar Aleksandar Vulin si “mik të dëshmuar dhe të sinqertë të Federatës Ruse”, duke vlerësuar kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ruso-serbe në të gjitha pozitat që ka mbajtur.
Ky takim zhvillohet në një kohë kur Serbisë vazhdimisht po i kërkohet nga Bashkimi Evropian dhe partnerët perëndimorë për t’u rreshtuar me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë, por Beogradi vazhdon të mbajë një kurs të afërt me Moskën, veçanërisht në fushën e energjisë.








