Serbia është sërish e vetmja nga vendet e rajonit që janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk është harmonizuar me asnjë nga vendimet e BE-së për sanksionet kundër Rusisë, të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë dhe veprimeve destabilizuese të Moskës.
Kjo është bërë e ditur në një deklaratë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ka theksuar se bëhet fjalë për katër paketa masash restriktive, të miratuara gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Këto masa lidhen me veprimet e Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë, gjendjen e brendshme në Rusi, vazhdimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në agresionin rus.
Sipas Kallas, të gjitha vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE janë harmonizuar me vendimet e fundit të Këshillit të BE-së, duke garantuar se politikat e tyre kombëtare do të jenë në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit. Bashkimi Evropian, tha ajo, e ka mirëpritur këtë qëndrim të vendeve të rajonit.
Serbia mbetet i vetmi shtet kandidat që vazhdon të mos harmonizohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së në raport me Rusinë, çka po reflektohet edhe në procesin e saj të integrimit evropian.
Negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE, të nisura në vitin 2014, janë në ngërç që nga dhjetori i vitit 2021, kur u hapën kapitujt e fundit negociues. Edhe pse Komisioni Evropian ka konstatuar se janë përmbushur kushtet teknike për hapjen e Klasterit 3, mes vendeve anëtare të BE-së mungon konsensusi politik për ta bërë këtë hap.
Në dy raportet e fundit për progresin e Serbisë, Komisioni Evropian ka vlerësuar se nuk ka përparim në funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, duke nënvizuar se këto mangësi, së bashku me refuzimin për t’u bashkuar me sanksionet ndaj Rusisë, po e mbajnë Serbinë larg avancimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.








