Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, nuk ishte i gatshëm të zgjedhë mes Neymarit të Paris Saint-Germainit dhe Lautaro Martinezit të Interit, mes spekulimeve për të dy këta futbollistë, duke thënë se do të ishte mirë t’i kishte të dy.
28-vjeçari Neymari ka qenë i spekuluar për një kthim te gjigantja e La Liga gjatë afatit kalimtar të verës, tre vjet pasi ishte larguar nga atje për t’u transferuar në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, transmeton Gazeta Express.
Neymari thuhej se e dëshironte një transferim të tillë edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje dhe braziliani mbeti në Parc des Princes.
Megjithatë, shpresa e tij për t’u kthyer në Camp Nou nuk është shuar ende dhe ai shpreson se do të mundë ta realizojë këtë dëshirë të tij këtë verë, kur Barcelona shpreson ta bindë PSG-në me një ofertë më të ulët.
Ndërkohë, Barcelona raportohet se do të ruajë para për t’u siguruar që mund ta përballojë edhe transferimin e yllit argjentinas të Interit, Lautaro Martinezit, agjenti i të cilit ka thënë se klientit të tij do t’i pëlqente të luante përkrah Lionel Messit, si në Kombëtaren e Argjentinës.
Por, kur Setien u pyet se cilin prej dy futbollistëve po shpreson se klubi do të arrijë t’ia transferojë më humb, trajneri s’ishte i gatshëm të zgjedhë.
“Që të dy sepse ata janë të dy lojtarë të mirë. Janë lojtarë të mrekullueshëm, si mund të mos më pëlqejnë?”, tha Setien.
“Neymari është njëri ndër ta, por siç qëndrojnë gjërat, ne duhet ta shqyrtojmë se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur. Ne e dimë se këta futbollistë kushtojnë shumë para dhe nuk është e lehtë t’i transferosh ata”. /Gazeta Expres/








