Ushtria gjermane ka njoftuar përmes një letre se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë suspenduar trajnimin e forcave irakiane për shkak të rritjes së kërcënimit me të cilën përballen ato pas sulmit ajror të së premtes në Bagdad, ku u vra gjenerali iranian, Qassem Soleimani.
Në letrën dërguar ligjvënësve amerikanë, një zyrtar i lartë tha se gjeneral-lejtënanti amerikan, Pat White, ka marrë vendim që ta rrisë nivelin e mbrojtjes për forcat e angazhuara në Irak, të cilat janë nën komandën e tij.
“Kështu, trajnimi i forcave të sigurisë dhe trupave të armatosura të Irakut në tërë territorin e këtij vendi është suspenduar përkohësisht”, shkroi gjeneral-lejtënanti gjerman, Erich Pheffer, në letrën dërguar Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të kuvendit gjerman.
“Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha vendet partnere që janë të përfshira në këto forca në qendrat trajnuese në Irak”, thuhet më tutje në këtë letër.
Ndryshe, Gjermania i ka rreth 120 trupa në Irak. Ata veprojnë në kuadër të task-forcës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine.
Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban. Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.
Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani.








