Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar ligjin për vendosjen e sanksioneve ndaj cilësdo kompani që bashkëpunon me kompaninë shtetërore ruse të gazit, Gazprom, për ta ndërtuar gazsjellësin që do t’i furnizojë me gaz vendet e Bashkimit Evropian.
Më saktësisht, këto sanksione e kanë për shënjestër ndërtimin e gazsjellësin nënujor, “Nord Stream 2”, i cili do t’ia mundësojë Rusisë që ta rrisë eksportimin e gazit në Gjermani.
Javën e kaluar, ky ligj u miratua paraprakisht edhe në Kongres. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë këtë projekt si rrezikim të sigurisë së Evropës.
Projekti që pritet të kushtojë gati 11 miliardë dollarë i ka zemëruar Shtetet e Bashkuara. Ligjvënësit e Partisë Republikane në pushtet dhe të Partisë Demokratike në opozitë janë bashkuar për ta kundërshtuar atë.
Shtëpia e Bardhë po frikësohet se ky projekt ia mundëson Rusisë zgjerimin e ndikimit në fushën e energjisë në Evropë dhe e zvogëlon shitjen e gazit amerikan në kontinentin e vjetër.
Presidenti Trump madje ka deklaruar se gazsjellësi i gjatë 1225 kilometra mund ta shndërrojë Gjermaninë në peng të Rusisë.
Ky projekt ka gjasa që t’i tensionojë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha këtë javë se i kundërshton sanksionet e huaja kundër projektit të gazsjellësit me Rusinë.
Për më tepër, ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, reagoi me një ton edhe më të ashpër, duke thënë se këto sanksione paraqesin ndërhyrje në vendimet autonome të Evropës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








