Avni Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, është liruar nga kjo detyrë sot me vendim të ministrit në detyrë të Arsimit, Shyqyri Bytyçi, raporton Gazeta Express
Gashi ka njoftuar sot se në pozitën e tij do të emërohet ushtrues detyre Shkelzen Gërxhaliu.
“Ju njoftoj që nga sot jam liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim me vendim të ministrit Bytyqi. Po ashtu, në të njëjtën kohë kam pranuar vendimin që për pozitën U.D. Drejtor i AKA-së është emëruar Z. Shkelzen Gerxhaliu, të cilit i dëshiroj sukses dhe punë të mbarë në arritjen e objektivave të AKA-së”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë tutje se shpreson që Agjencia Kosovare e Akreditimit të japë kontributin e saj në arsimin e lartë.
“Shpresoj që edhe më tutje ky institucion i rëndësisë së veçantë dhe stafi profesional në kuadër të këtij institucioni, të japin kontributin e vet në arsimin e lartë”, ka thënë ai. /GazetaExpress/








