Ish-bashkë partiaku i presidentit serb Aleksandar Vuciq, Dragan Shormaz thotë se zgjedhjet e fundit në Serbi, kanë treguar një realitet të ri, të dhimbshëm për Vuciqin. Sipas tij këto rezultate treguan qartë që pushteti i presidentit serb, “nuk është më aq i fortë sa ishte”, ndërsa fitorja e koalicionit qeverisës në bastionet tradicionale të SNS-it ka qenë “relativisht e zbehtë dhe jo bindëse”.
“Bëhet fjalë për një erozion serioz të besimit ndaj pushtetit,” vlerëson Dragan Shormaz, duke drejtuar kritikën më të fortë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuciq pas zgjedhjeve të fundit lokale në Serbi.
Ai thekson se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022, lista e udhëhequr nga Vuçiqi ka arritur rezultate dukshëm më të dobëta, “pavarësisht faktit se presidenti insistoi në bashkimin e të gjithë partnerëve të koalicionit nën një ‘ombrellë’ të vetme politike” dhe përdori “maksimalisht të gjithë mekanizmat në dispozicion për mobilizimin dhe kontrollin e votuesve”.
“Përpjekjet për të tërhequr vëmendjen përmes publikimit të aferave të reja... duken më shumë si përpjekje për të devijuar vëmendjen dhe si shenjë e nervozizmit politik sesa si një strategji serioze,” shkruan ai në një tekst autorial të botuar në Geopost, duke iu referuar akuzave ndaj opozitës.
Shormaz nënvizon se diferencat e vogla në zonat tradicionalisht të sigurta për pushtetin janë veçanërisht shqetësuese. “Sepse nëse diferenca është e vogël aty ku pushteti është më i fortë, çfarë mund të pritet në qendrat e mëdha urbane ku opozita ka një potencial dukshëm më të madh?”
Megjithatë, ai vlerëson se dobësimi i pushtetit nuk do të thotë automatikisht ndryshim. “Dobësia e pushtetit në vetvete nuk do të thotë edhe zëvendësimin e tij,” thekson Shormaz, duke kritikuar ashpër edhe opozitën.
Sipas tij, skena opozitare në Serbi është “e fragmentuar, programatikisht e paqartë dhe organizativisht e pamjaftueshme”, ndërsa i mungon një qëndrim i qartë për çështje kyçe si integrimet evropiane, NATO, Kosova dhe lufta në Ukrainë.
“Ajo që mungon është artikulimi politik i kësaj hapësire,” shkruan ai, duke shtuar se pa një alternativë të qartë politike, pakënaqësia e qytetarëve nuk mund të shndërrohet në ndryshim real.
Në fund, Shormaz thekson se “problemi i Serbisë sot nuk qëndron vetëm në dobësinë e pushtetit, por edhe në dobësinë e alternativës”, duke paralajmëruar se pa këtë alternativë, “çdo ndryshim mbetet vetëm një mundësi, por jo edhe një realitet.”








