Shpend Maxhuni do të jetë krahu i djathtë i drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt. Maxhuni që nga dje ka marrë mision të ri në Policinë e Kosovës. Atë të Këshilltarit për çështje Operacionale të Drejtorit të Përgjithshëm. Këtë e kanë konfirmuar për Express, nga Zyra e PK’së. E lajmin për rikthimin e Maxhunit në Polici, e ka konfirmuar për Express, drejtori i këtij institucioni, Rashit Qalaj.
GAZETA EXPRESS
Ka kërkuar përsëri strehë në Policinë e Kosovës, institucion ky që Shpend Maxhuni e udhëhoqi për vite me radhë, deri në skandalin me gylenistët, kur edhe u shpërblye me pozitë në Agjencinë për Inteligjencë. Në këtë institucion të lartë të sigurisë në vend, Maxhuni shërbeu për gati dy vite.
Këtë dorëheqje Maxhuni e kishte arsyetuar si pasojë e disa problemeve shëndetësore ndërkohë që pati spekulime se ai mund të dërgohet si diplomat në Turqi.
Por nuk kishte shkuar shumë kohë e Maxhuni sërish kishte kërkuar që t’i bashkohet Policisë së Kosovës. Institucion ky, në të cilin ai kishte shërbyer që nga themelimi, e ishte ndër gjeneratat e para të Shërbimit Policor të Kosovës, ashtu siç quhej para se Kosova të bëhej shtet.
Diçka më shumë se tre javë që kur Maxhuni bëri kërkesën për rikthim në polici, ajo iu aprovua.
Më 23 dhjetor të këtij viti pra dje, Maxhuni ka rinisur punën e tij në Policinë e Kosovës. Maxhuni që nga dje ka marrë mision të ri në Policinë e Kosovës. Atë të Këshilltarit për çështje Operacionale të Drejtorit të Përgjithshëm
"Kolonel Shpend Maxhuni është caktuar në pozitën Këshilltar për çështje Operacionale i Drejtorit të Përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë se Kosovës.
Lajmin për rikthimin e Maxhunit në PK, e ka konfirmuar për Express, edhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
“Po mund të ju konfirmojë se Maxhuni dje ka nisur sërish punën në Policinë e Kosovës”, ka thënë shkurt Qalaj për Express.
Megjithëkëtë, Maxhuni para se të emërohej shef në AKI kishte ngrirë pozitën në polici, e se kërkesa për t’u kthyer në këtë institucion është legjitime. Kështu kishte thënë vet Qalaj për Express.
“Është kërkesë e tij, në momentin kur ka shkuar në AKI e ka ngrirë pozitën kështu që është ligjore që të kthehet. Në pozitën që ka qenë jo, mirëpo, mund të kthehet është obligim të kthehet në punë”, shton ai.
Ndërkohë Express, gjatë ditës ka provuar që të kontaktojë edhe me vet Shpend Maxhunin, mirëpo ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
E rikthimin e Maxhunit në Polici, me shqetësim e kanë pritur shoqëria civile.
Ndërkohë, e drejta e kthimit të një zyrtari policor i cili me vetë dëshirë largohet ose ndërron pozicion, ekziston, dhe është e rregulluar me udhëzimin administrativ.
Shpend Maxhuni dorëzoi dorëheqjen te kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, me datë 6 nëntor, derisa një ditë më vonë Haradinaj tha se kjo dorëheqje kishte ardhur si pasojë e shkaqeve shëndetësore./G.Hasani/GazetaExpress/








