Një numër i madh politikanësh dhe zyrtarë të partive politike janë kërcënuar me jetë nga persona të panjohur, përmes rrjeteve sociale gjatë vitit që po lëmë pas. Një rast të ngjashëm kishte edhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili tha se u kërcënua mirëpo nuk është ndalur.
Vetë Haziri ka bërë të ditur se ka marrë kërcënime të tilla, mirëpo siç bën të ditur ai, në asnjë situatë nuk ka ndryshuar qëndrimet dhe bindjet e tij, duke thënë se nuk e ndalë asgjë.
‘Definitivisht që po. Në asnjë situatë nuk kam dalë prej kauzës dhe bindjeve të mia. Une jam rugovist me lëkurë, s’më ndalë kurgjë. S’më ka ndalë një shtet (Serbia) me të gjitha makineritë policore, e lëre këta me komente në rrjete sociale”, ka thënë Haziri në T7, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se tash s’po munden të vrasin, andaj po mundohen me të linçu.
“Atëherë s’ka pas rrjete sociale, por stupc edhe plumba”, ka thënë ai.
Kujtojmë se së fundmi u kërcënuan me jetë, kreu i VV-së, Albin Kurti nga zyrtari i NISMA-s, Haxhi Hoti, më pas u kërcënua djali i Isa Mustafës përmes rrjeteve sociale.








