Dion Gallapeni është pa dyshim zbulimi më i madh i Kombëtares së Kosovës i viteve të fundit.
Futbollisti nga Suhareka ka shpërthyer si një vullkan tek Dardanët duke ua marrë zemrat tifozëve për një kohë mjaft të shkurtër, shkruan “Gazeta Express”.
Një lojtar kokulur, modest, me fjalë pak e punë shumë, 20 vjeçari e bëri një sezon fantastik me FC Prishtinën dhe më pas kjo iu shpërblye me ftesë në Kombëtaren e Kosovës.

Ndonëse kishte mundësi të bëhej pjesë e Shqipërisë, për moshat U-21, ai megjithatë i besoi projektit të Kosovës dhe iu tha "PO" Dardanëve.
Dhe, duket se majtaku e bëri zgjedhjen e duhur pasi shpejt doli në pah dhe u bë pjesë e rëndësishme e ekipit të Franco Fodës.
Kosova kishte probleme në krahun e majtë në vitet e fundit dhe me diamantin e ri, Dion Gallapeni në fushë, gjithçka ka ndryshuar.

Ai po i sjell siguri fazës defanzive me ndërhyrjet dhe me mbrojtjen e tij, ndërsa energjinë që e posedon po jep kontribut edhe në fazën ofanzive.
Pra, Kosova ka bërë zgjidhje afatgjate në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa për nga kualiteti, mençuria dhe qetësia që e posedon, ai po krahasohet me Mario Mitajn e Shqipërisë.
Gjatë verës Gallapeni e bëri një hap të rëndësishëm në karrierë, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar, duke iu bashkuar ekipit polak Widzew Lodz, me të cilin nënshkroi kontratë katërvjeçare.

Majtaku i zhdërvjelltë i ka zhvilluar shtatë ndeshje me Kombëtaren A të Kosovës, ndërsa më parë kishte luajtur edhe për Kosovën U-21.
Karrierën e kishte nisur në ekipin Winner Prizren para se të përfundonte tek Prishtina në vitin 2023, ku qëndroi për dy vjet.
Pa dyshim, Gallapeni është një pasuri për Kombëtaren e Kosovës.

E nëse vazhdon me formë të tillë, në të ardhmen nuk është çudi nëse e shohim duke luajtur në një klub më të madh evropian. /Gazeta Express








