Terrori dhe gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi po vazhdojnë pa ndalur. Në qytetin e vogël të Surdulicas, me rreth 10 mijë banorë, ditët e fundit janë mbajtur protesta pas vdekjes së një të riu në një aksident trafiku, ngjarje që ka nxitur tensione ndëretnike pasi i dyshuari për aksidentin është një 20-vjeçar i nacionalitetit shqiptar.
Edhe pse i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit, në protesta janë parë pankarta me thirrje për bojkotimin e furrave të bukës në pronësi të familjes së tij, si dhe janë dëgjuar thirrje për dëbimin e gjithë familjes nga qyteti.
Protesta e fundit u mbajt më 19 shkurt në qendër të Surdulicës, ku dhjetëra qytetarë u mblodhën me flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimin “Drejtësi për Rastkon”, i riu që humbi jetën në aksidentin e 9 shkurtit.
Thirrje për dëbim, por mohohet motivi etnik
Një nga pjesëmarrësit në protestë, Goran Mladenoviq, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se familja e të dyshuarit “duhet të largohet nga Surdulica”, duke i konsideruar ata përgjegjës për “sjelljen e papërgjegjshme në trafik”. Ai mohoi se protestat kanë bazë etnike.
Megjithatë, në rrjetet sociale dhe në një grup lokal në Viber me emrin “Pravda za Rastka”, ku sipas raportimeve është anëtar edhe ministri në Qeverinë e Serbisë Novica Toncev, janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje urrejtjeje, përfshirë thirrje për bojkot dhe dëbim kolektiv të familjes shqiptare.
Tonçevi ka deklaruar se protestat janë “paqësore” dhe nuk kanë bazë kombëtare, por organizata joqeveritare “Graxhanske inicijative” ka reaguar duke theksuar se në Surdulicë po zhvillohet një fushatë e targetimit kolektiv mbi baza etnike.
Furrat nën mbrojtje policore


Tre furra buke në pronësi të familjes shqiptare vazhdojnë të punojnë, por janë vendosur nën mbrojtje policore. Gjatë protestave të para, objekti i njërës prej tyre ishte qëlluar me vezë.
Një punonjëse e furrës “Park”, e cila kërkoi të mbetet anonime, deklaroi se nuk i mbështet protestat dhe se për pronarin e saj “ka vetëm fjalë të mira”. Edhe disa qytetarë të tjerë janë shprehur kundër bojkotit, duke theksuar se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe jo kolektive.
Sipas gazetares Dejana Cvetkoviq, e cila raportoi nga protesta, ajo u përball me sulme verbale dhe komente me përmbajtje seksuale. Ajo tha gjithashtu se pronari i furrës i kishte treguar se familja e tij ishte detyruar të largohej përkohësisht nga Surdulica dhe se automjeti me të cilin po evakuoheshin ishte sulmuar nga protestuesit.
Hetime dhe reagime zyrtare
Prokuroria në Vladicin Han ka njoftuar se po zhvillohet hetim për veprën penale “Vepër e rëndë kundër sigurisë së trafikut publik”. Sipas njoftimit, i dyshuari posedonte patentë shoferi nga Kosova, e cila iu sekuestrua në vendin e ngjarjes. Do të kryhen ekspertiza për të përcaktuar shpejtësinë e lëvizjes dhe rrethanat e aksidentit.
Sipas regjistrimit të vitit 2022, në Surdulicë jetojnë vetëm gjashtë qytetarë të nacionalitetit shqiptar. Në nivel vendi, mbi 60 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi, duke përbërë pakicën e katërt më të madhe kombëtare.








