Sipas një komunikimi elektronik të zbuluar së voni, Shtëpia e Bardhë e kishte ngrirë ndihmën ushtarake për Ukrainën vetëm 91 minuta pas bisedës telefonike të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në korrik të këtij viti.
Gjatë kësaj bisede, presidenti Trump kishte kërkuar nga lideri ukrainas që ta hetojë rivalin politik, Joe Biden.
Politikanët demokratë thonë se ky dokument dëshmon se presidenti e ka përdorur pozitën zyrtare për përfitime personale politike.
Kjo telefonatë është në qendër të vëmendjes për akuzat e keqpërdorimit të pushtetit.
Dhoma e Përfaqësuesve votoi me shumicë votash që presidenti Trump të hetohet, por gjasat që ai të shkarkohet janë të vogla për shkak se rasti duhet të votohet edhe në Senat, ku Partia Republikane e gëzon shumicën e ulëseve.
Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se ky komunikim elektronik e dëshmon nevojën për dëshmitarë dhe dëshmi të reja për rastin e hetimit të presidentit.
Ndryshe, republikanët i kanë 53 nga 100 ulëset e Senatit, ndërsa për shkarkimin e presidentit nevojiten dy të tretat e votave, që ka pak mundësi të arrihen, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








