Rikthimi i Benjamin Sesko te Manchester United mund të vonohet pasi sulmuesi 23-vjeçar është helmuar nga ushqimi.
Sesko është jashtë fushave që nga 8 nëntori për shkak të një dëmtimi në gju dhe ishte parashikuar të rikthehej javën e ardhshme.
Megjithatë, ai nuk stërviti të enjten dhe do të vlerësohet para ndeshjes kundër Bournemouthit.
Mbrojtësit Matthijs de Ligt dhe Harry Maguire janë ende jashtë.
De Ligt, që pritej të rikthehej në ndeshjen ndaj Wolves të hënën, ka një problem në shpinë.
Trajneri i United, Ruben Amorim, tha: “Maguire është jashtë, De Ligt është jashtë… Ben, duhet të shohim. Duhet të shohim nëse është në dispozicion. Ai pati helmim nga ushqimi, por do të shohim. Le të presim. Kemi ende dy seanca stërvitore. Të tjerët janë jashtë”.
“Mendoj se De Ligt ka diçka në shpinë. Ndonjëherë duket se nuk është një problem i madh. Ai mbaroi ndeshjen shumë mirë kundër Crystal Palace (dy javë më parë). Nuk është një dëmtim i madh, por ka dhimbje. Duhet të kemi kujdes për këtë”, shtoi ai.
Amorim gjithashtu lavdëroi trajnerin e Bournemouth, Andoni Iraola, duke e quajtur “special”, dhe shtoi se “Cherries” kanë një lojtar të veçantë, pothuajse sigurisht sulmuesin e krahut Antoine Semenyo.
Bournemouth që ka fituar 3-0 në dy vizitat e fundit në “Old Trafford”, është pa humbje në katër ndeshjet e fundit kundër United, por nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit.
Amorim shtoi: “Një skuadër e nivelit të lartë, një trajner i nivelit të lartë, me një lojtar special. Unë nuk shikoj rezultatet, por mënyrën se si ata përballen me çdo kundërshtar. Ata presin shumë fort, janë shumë të drejtpërdrejtë në lojë. Luajnë me opsione të ndryshme në sulm. Kjo na jep shumë opsione për të përgatitur ndeshjen. Pres një ndeshje të vështirë në Premierligë, por duhet të fitojmë, veçanërisht në shtëpi. Dhe ky është qëllimi”./GazetaExpress/








