Shumë talentë të rinj pritet të shfrytëzojnë mundësinë në skenën më madhe të futbollit evropian, për të dhuruar shkëndijat e para në një turne madhor.
Tashmë “EURO 2024” është vetëm pak ditë larg, me tifozët dhe lojtarët që janë të gatshëm dhe të emocionuar për një garë që premton shumë.
Si gjithmonë një arsye për këtë entuziasëm është edhe mundësia që lojtarët e rinj të lënë gjurmët e tyre dhe të shkruajnë emrin e tyre në librat e historisë.
Shumë lojtarë me potencial do të shfaqen në Gjermani këtë verë, me disa prej tyre që tashmë edhe luajnë rol kyç në kombëtaret e tyre, të cilat edhe do të synojnë titullin kampion të Evropës.
“Gazeta Express” do të ju sjellë disa nga lojtarët që pritet të marrin vëmendjen e publikut gjatë kësaj vere.

Arda Guler (Turqi)
I njohur në fillimet e tij si “Messi turk”, pritet të mbajë barrën e kombëtares së Turqisë në turnetë e ardhshëm. Mirëpo, tani, Kampionati Evropian i sivjetëm më shumë do të jetë një mundësi që senzacioni turk të mbledhë përvojë në nivelin më të lartë ndërkombëtar.
Guler u largua nga Fenerbahçe dhe iu bashkua Real Madridit për shumën e 20 milionë eurove, me “Los Blancos” që mposhtën Barcelonën në garën për nënshkrimin e 19-vjeçarit.
Sezoni debutues i adoleshentit turk me Real Madridin u karakterizua me lëndime, kështu duke u limituar vetëm në 12 paraqitje me klubin madrilen.
Mirëpo, me shumë vetbesim, Guler arriti të lë shenja në “Santiago Bernabeu”, duke i shënuar gjashtë gola në shtatë ndeshjet e fundit të sezonit, me Carlo Ancelottin që mund të llogarisë në të si një aset i çmuar.

Semih Kilicsoy (Turqi)
Edhe një tjetër lojtar turk që po shkëlqen në elitën e futbollit turk.
Pjesë e Besiktasit, Kilicsoy shënoi 11 gola në Superligën turke, duke u shpërblyer me ftesën e tij të parë në kombëtaren turke, madje duke luajtur edhe disa minuta në ndeshjen miqësore ndaj Italisë para pak ditësh.
Një sulmues i përshtatshëm në të gjitha pozitat përpara. Menaxheri i tij bën me dije se top klube angleze si Manchester City, Chelsea e Arsenal janë vënë pas tij, me performancat në Gjermani që do të luajnë rol të madh në çmimin e tij të shitjes.

Kobbie Mainoo (Angli)
Të gjithë do të qeshnin po të thoshe se Kobbie Mainoo do të jetë pjesë e Anglisë për "EURO 2024" në fillim të sezonit.
Edhe pse kishte një parasezon premtues, anglezi pësoi një lëndim të rëndë, ku mbeti jashtë fushe për disa muaj.
Mirëpo 19-vjeçari mori vetën dhe pësoi një rritje dhe përmirësim të dukshëm në lojën e tij, duke kompletuar 90 minutat e tij të parë me Manchester United tek në muajin nëntor.
Mainoo dha shkëndijat e tij të para me Anglinë në muajin mars, ku në ndeshjet miqësore ndaj Brazilit e Belgjikës, i mbushi mendjen trajnerit Southgate, i cili mund të llogarisë në shërbimet e tij këtë Evropian.
Pos driblimeve dhe pasimeve afër perfektes, Mainoo ka dëshmuar se është i mirë edhe në pjesën e tretë të fushës, derisa këtë e konfirmon edhe goli i tij në finalen e FA Cup ndaj Manchester City.

Leo Sauer (Sllovaki)
Leo Sauer mund të ketë vetëm dy paraqitje me Sllovakinë para “EURO 2024”, por sllovaku adoleshent ka talentin që të ketë ndikim këtë verë.
18-vjeçari po vjen nga një sezon ku i mori hapat e parë me ekipin e parë të Feyenoord. Edhe pse ende nuk ka startuar asnjë ndeshje me gjigantin holandez, ai ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me katër asistime përgjatë edicionit të kaluar, një përfshirje direkte në gol çdo 45 minuta.
Sauer u bë lojtari më i ri që përfaqëson Sllovakinë, kur debutoi në muajin mars, dhe padyshim është një lojtar që duhet të mbajmë një sy në të.

Gabriel Sigua (Gjeorgji)
Gjeorgjia është debutuesi i vetëm i turneut të sivjetëm, por si e tillë është e sigurtë se do të bëj ‘dëm’ në Gjermani.
Lojtari më i ri i ekuipazhit të tyre që merr rrugën për në Gjermani është Gabriel Sigua, i cili tek në fund u ftua nga Willy Sagnol.
Sigua u fut në skenë me Dinamo Tbilisi më 2022, dhe pas një viti me ekipin e parë, ai u transferua tek Baseli.
18-vjeçari kishte një edicion debutues të ngadaltë në Zvicër, mirëpo arriti të kontribuojë me 3 gola në 17 paraqitje, shumica e të cilave vinin nga banka rezervë.

Arthur Vermeeren (Belgjikë)
“Gjeneratës së Artë” të Belgjikës tashmë po i vie fundi, por një grup i ri i të rinjëve që kanë dalur viteve të fundit, bëjnë që shpresa mos të humbet në Belgjikë.
Një nga më të talentuarit është Arthur Vermeeren, i cili është i gatshëm të zë vend në formacionin e Domenico Tedescos në Gjermani.
19-vjeçari ‘shpërtheu’ tek Royal Antwerpi në sezonin 2022/23, duke qenë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën e Mark van Bommel, që fitoi titullin e parë në 66 vite.
Forma e tij e mirë tërheqi vëmendjen e Barcelonës e Arsenalit, por ishte Atletico Madridi që pagoi 18 milionë euro për shërbimet e tij në janarin e këtij viti.
Vermeeren me shumë mundësi do të ketë minuta të limituar edhe me Belgjikën, mirëpo ka potencialin që të jetë një lojtar i madh për Belgjikën në dekadën e ardhshme.

Lamine Yamal (Spanjë)
Mund të jetë lojtari më i ri në “EURO 2024”, por pak lojtarë mund t’i afrohen në bazë të cilësive që ai posedon.
Senzacioni spanjoll mund të paraqesë problem për çdo kundërshtar, në rast se përsërit formën e tij të mirë që kaloi me Barcelonën sezonin e kaluar.
16-vjeçari ka thyer rekord pas rekordi gjatë 12 muajve të fundit me ekipin e parë të Barçës, duke u bërë po ashtu lojtari më i ri që starton dhe shënon me Spanjën në muajin shtator të vitit të kaluar.
Një sulmues anësor elektrizues, Yamal është cilësuar si lojtari më i mirë që ka dalur nga “La Masia” që nga koha e Lionel Messi.

Kenan Yildiz (Turqi)
Tifozët gjerman tashmë e kanë parë atë se çfarë Kenan Yildiz mund të bëj, pasi sulmuesi la shenja në ndeshjen e tij të parë si startues me Turqinë, duke shënuar gol në takimin ndaj Gjermanisë në nëntor.
Nga ai gol nisi edhe një periudhë mjaftë e mirë e Yildiz, i cili shënoi një gol fantastik me Juventusin një muaj më vonë, derisa po ashtu gjeti golin edhe në dy raste në Kupën e Italisë në janar.
Një produkt i akademisë së Bayern Munchenit, Juventusi mposhti Barcelonën në garë për nënshkrimin e Yildiz më 2022.
Ka aftësi të luajë ose si sulmues ‘pykë’ ose si anësor i majtë, 19-vjeçari posedon edhe driblime të mira dhe një goditje të fuqishme, që e bën rrezik permanent për mbrojtjet kundërshtare.

Warren Zaire-Emery (Francë)
Franca është e njohur për mesfushorë të mirë, gjersa edhe tani është e ‘mbushur’ me të tillë.
E të depërtosh në një listë me mesfushorë të klasit botëror, atëherë kjo tregon shumë për aftësitë që posedon Warren Zaire-Emery i PSG-së.
18-vjeçari ka thyer një numër rekordesh qëkur iu bashkua ekipit të parë të PSG-së, duke dërguar në një nivel tjetër paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni, sidomos në Ligën e Kampionëve.
Një mesfushor që mund të luajë në disa pozita, Zaire-Emery mund të jetë fytyra e re e PSG-së në epokën pas Kylian Mbappes, dhe po ashtu mund të jetë një aset për Didier Deschamps në Gjermani këtë verë.
Kampionati Evropian “Gjermani 2024” nisë me datën 14 qershor me takimin Gjermani – Skoci.








