Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, kritikoi numrin e madh të universiteteve në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se hapja e tyre ka tejkaluar nevojat reale të vendit
Sipas saj, të dhënat statistikore tregojnë se për një milion banorë mjafton një universitet i vetëm, por ai duhet të jetë i fuqishëm dhe cilësor. Janevska theksoi se për një vend me rreth 1.8 milionë banorë janë hapur më shumë universitete sesa është e nevojshme, gjë që ka ndikuar negativisht në cilësinë e arsimit të lartë.
“Shihet se për 1.8 milionë banorë, kemi hapur shumë universitete. Disa statistika thonë se mjafton një universitet për 1 milion banorë, por duhet të jetë i fortë, i fuqishëm dhe të japë produkt. Të rikthehem, edhe pse ideja ishte e mirë, realiteti është se ka bërë dëm të madh”, theksoi Janevska në “Clik Plus” në TV21.
Ajo la të kuptohet se nevojitet rishikim serioz i politikave arsimore, me fokus në konsolidimin e universiteteve dhe rritjen e cilësisë së studimeve.








