Përditësimet e fundit sugjerojnë se Luciano Spalletti është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Juventusit pas shkarkimit të Igor Tudor, por si do të rreshtonte ish-trajneri i Kombëtares Italiane Juventusin dhe cilat taktika do të përdorte?
Juventusi konfirmoi shkarkimin e Tudorit të hënën, pas një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore në Serie A dhe Champions League. “Zonja e Vjetër” kishte kaluar gjithashtu katër ndeshje pa shënuar gol. Fitorja e fundit ishte 4-3 ndaj Interit në Derby d’Italia më 13 shtator.
Disa trajnerë janë përfolur për një transferim te “Allianz Stadium”, përfshirë Raffaele Palladino dhe Roberto Mancini, por Spalletti konsiderohet kryesor dhe tashmë ka zhvilluar bisedime direkte me klubin.
Spalletti ka përdorur disa formacione të ndryshme gjatë periudhave të tij te Kombëtarja e Italisë, Napoli dhe Interi, shkruan “Gazeta Express”.
Së fundmi, te Italia, ai luajti me 3-5-1-1 gjatë ndeshjeve të fundit, pasi kishte shumë mesfushorë por pak alternativa për sulmues qendre ose krahë. Ai kishte përdorur gjithashtu 4-2-3-1 ose 4-3-3 në përgatitje dhe gjatë EURO 2024.
Te Napoli, norma gjatë sezonit fitues të Scudettos 2022-23 ishte një 4-3-3 i ndërtuar rreth sulmuesit qendror Victor Osimhen dhe krahut të majtë Khvicha Kvaratskhelia.
Tek Inter, 4-2-3-1 ishte sistemi i zakonshëm i Spallettit, dhe duke marrë parasysh opsionet aktuale te Juventusi, do të kishte kuptim të përdorte të njëjtin sistem edhe në Torino, raporton “Football Italia”.
Nën drejtimin e Tudorit, Juventusi shpesh luante me një trio në mbrojtje, por pas dëmtimit të Gleison Bremer, Bianconerit kanë vetëm katër qendërmbrojtës për të zgjedhur, gjë që kufizon rotacionin dhe mbulimin e lojtarëve.
Duke qenë se skuadra aktuale e Juventusit nuk ka shumë alternativa në mesfushën qendrore, do të kishte kuptim që Manuel Locatelli dhe Khephren Thuram të mbajnë vendet e tyre në një “double pivot”.
Më pas, ka disa opsione për rolin e numrit 10, duke përfshirë Kenan Yildiz, blerjen e verës Jonathan David dhe Teun Koopmeiners, i cili aktualisht nuk është në favor të trajnerit, të gjithë me cilësi të ndryshme.
Formacioni i mundshëm, 4-2-3-1: Di Gregorio; Joao Mario, Kalulu, Bremer, Cambiaso; Locatelli, Thuram; Conceicao, David, Yildiz; Vlahovic./GazetaExpress/








