Dialogu Kosovë-Serbi i ka përplasur shpesh presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj. Por, tash që Haradinaj njërën këmbë e ka në opozitë, e tjetrën në pushtet, ka vendosur që t’i dalë në ndihmë Thaçit, pikërisht në këtë proces. Një zyrtar i afërt me Pal Lekajn, drejtori i Aviacionit Civil, Eset Berisha, ka nënshkruar marrëveshjen si i deleguar i Lekajt, i njohur edhe nga rasti i "gylenistëve".
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë bërë titujt kryesor të mediave gjatë vitit 2019, duke u përplasur e duke akuzuar njëri-tjetrin për bisedimet Kosovë-Serbi.
Haradinaj ka akuzuar shpesh Thaçin se ka shtyrë përpara opsionin e ndarjes. Ndërkaq, vetes i ka lënë merita, se këtë dialog e kishte ndërprerë duke ia hequr nga dora Thaçit, Aleksandar Vuçiqit e Federica Mogherinit, e duke ia kthyer Angela Merkelit.
Por, pikërisht Haradinaj sot ka konfirmuar se ka qenë pjesë e ndërmarrjes së fundit diplomatike të udhëhequr nga Richard Grenell, emisar i presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet Kosovë-Serbi.
Haradinaj, pas lajmit për marrëveshjen, reagoi ndaj kësaj ngjarjeje, duke e quajtur hap gjigant, e duke mohuar se ajo nuk nënkupton heqjen e taksës.
Pala kosovare në Berlin u përfaqësua nga drejtori i Aviacionit Civil, Eset Berisha.
Ai ka deklaruar se në Berlin ka qenë i deleguar i ministrit në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, nënkryetar i partisë së Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e po ashtu mik i afërt i presidentit Thaçi. Berisha, që fillimisht kishte qenë këshilltar i Lekajt, u rehatua pastaj në pozitë si drejtor i Aviacionit.

Në koordinim të plotë në mes të këtij zinxhiri të funksionarëve të lartë në vend, të udhëhequr nga presidenti Thaçi, është nënshkruar dokumenti dyfaqësh, që pritet të implementohet pasi të largohet taksa e Kosovës ndaj Serbisë.
Detaje të mëtutjeshme, se si do të bëhet implementimi i kësaj marrëveshje, nuk janë dhënë - në fakt, ato duhet të përpunohen ende.
Vetë ministri në detyrë, Lekaj, që ka dërguar përfaqësues në Berlin, ka deklaruar se me këtë marrëveshje Serbia e njeh shtetin e Kosovës, e se kjo është një arritje historike.
“Gjithsesi është një hap para për një marrëveshje finale mes dy shteteve, dhe unë mendoj që kjo është një shtytje e këtij procesi, që të finalizohet me njohje reciproke. Po, sepse, pas 21 viteve, kemi një marrëveshje mes dy shteteve... ju e dini se deri më tani Serbia nuk e ka njohur entitetin tonë apo autoritetin e Aeroportit të Prishtinës, dhe pas 21 vjetësh Serbia e njeh Kosovën si shtet mund ta quaj, dhe kjo është një marrëveshje historike. Nga kjo marrëveshje përafrohet edhe njohja mes dy shteteve. E them këtë, sepse Serbia ka njohur realitetin e krijuar, dhe Aeroportin e Prishtinës si pjesë e Kosovës, dhe jo si pjesë e Serbisë, siç ka aluduar”, ka thënë Lekaj.
Në fakt, përveç këtij bashkëpunimi, Lekaj u raportua se kishte qenë i përfshirë edhe në rastin e deportimit të shtetasve turq, të njohur si "gylenistë", në mars të vitit 2018, për të cilin rast thuhet se ka qenë i informuar mirë i pari i shtetit.
Kjo kishte bërë që vetë Eset Berisha, asokohe këshilltar i Lekajt, të përplasej me zyrtarë të AAC-së, që kishin kërkuar nga MTI-ja që të jepte përgjegjësi për këtë temë, pas mashtrimit me kërkim të lejes.
Kompania "Birleşik Inşaat" kishte kërkuar leje komerciale të fluturimit, që iu ishte miratuar nga ministria, e që në fakt doli të ishte një nga skandalet më të mëdha në vend, për të cilat ka reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare.
Pak muaj më vonë, po në Autoritetin e Aviacionit Civil, u emërua vetë Eset Berisha, me një vendim të marrë në Qeverinë e Kosovës.
Marrëveshja për korridorin ajror në mes të Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar dy ditë më parë në Berlin, nga sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Ekonomisë, Milun Trivunaq, dhe Eset Berisha, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Në ceremoninë e nënshkrimit, ndërmjetësues ishin ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, që është edhe i dërguar special i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, si dhe këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Si arritje, këtë marrëveshje, përveç institucioneve në vend, e ka cilësuar edhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump. /GazetaExpress/








