Sindikata e Punëtorëve të Telekomit po e akuzon ministrin në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që nuk i ka deleguar 1.5 milion euro, të ndara nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Kryetari i federatës sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se 1.5 milion euro janë ndarë nga Ministria e Financave për mirëmbajtje dhe për Country Code. Të njëjtat sipas tij janë shpërndarë në ndërmarrje tjera jo në Telekom.
“Sipas informatave që i kam nga Menaxhmenti i Telekomit, Ministria e Financave i ka ndalë 1.5 milion euro për Telekomin, me arsyen që të fillohet procedura e mirëmbajtjes dhe Country Code. Këto mjetet sipas informative janë shpërndarë në ndërmarrje tjera dhe jo për Telekomit ku kanë qenë të deleguara”, thotë Balaj.
Ai shton se kjo është një goditje nga Ministria dhe Qeveria për Telekomin e Kosovës, teksa ka kërkuar që ministri në detyrë Lluka të deklarohet për rastin.
“Kjo është një goditje nga vetë ministria dhe Qeveria për Telekomin e Kosovës. FSP – PTK kërkon të deklarohet ministri i MZHE-së z.Lluka rreth këtij rasti. Gjithashtu kërkojmë nga ministri aktual dhe qeveria që mjetet të cilat i janë humbur Telekomit me rastin e falimentimit të bankës kreditore t’i kthehen sa më parë Telekomit sepse është obligim i shtetit dhe BQK-së t’i kthej këto mjete”, ka thënë ai
Për këto mjete sot gjatë ditës ministrit në detyrë Lluka i ka reaguar edhe kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Istrefi ka shkruar se Lluka po e rrezikon sigurinë nacionale, derisa tutje ka thënë se i njëjti e ka dëmtuar kompaninë publike me deklaratat e tij. /GazetaExpress/








