Autoritetet lokale të kryeqytetit rus kanë hedhur borë artificiale në qendër të qytetit në prag të festave të fundvitit. Dhjetori i këtij viti i ka sjellë temperaturat më të buta për këtë periudhë që nga viti 1886.
Shpërndarja e borës artificiale me kamion nëpër qytet ka nxitur reagime interesante në internet. Një faqe në Twitter ka shkruar: “Tash mund të blini gjithçka me buxhetin e Moskës, madje edhe dimrin.”
Kryetari i Agjencisë për Parashikimin e Motit, Roman Vilfand, thotë se ky vit ishte viti më i ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë në Rusi.
Temperaturat e pazakonshme për këtë kohë të vitit në Rusi po vlerësohen si dëshmi për efektet e ngrohjes globale. Këtu përfshihet edhe shkrirja rekorde e akullit në rajonet polare.
Bora artificiale është vendosur nëpër bulevardin “Tverskaya”, në Sheshin e Kuq dhe në disa lokacione të tjera në kryeqytet.
Ndryshe, më 18 dhjetor, temperatura në Moskë shkoi në 5.6 gradë, duke e thyer rekordin e temperaturës më të lartë për muajin dhjetor, të regjistruar në vitin e largët, 1886, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








