Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, mendon se derbi kundër Manchester Cityt të dielën mund të jetë një ndeshje argëtuese, me shumë gola, për tifozët e futbollit.
Manchester Unitedit është i pamposhtur në nëntë ndeshje, pas fitores 3:0 të enjten në FA Cup kundër Derbyt, dhe tani do të tentojë t’i përmirësojë gjasat edhe për kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, kur të dielën ta vizitojë Manchester City në Old Trafford, transmeton Gazeta Express.
Por, edhe skuadra e Pep Guardiolës ka qenë në formë të mirë këto javë të fundit, pasi që fitoren me rezultat 2:1 në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit e ndoqën me fitore në finale të Carabao Cup dhe fitore në rundin e pestë të FA Cup.
“Ata do të jenë plot me vetëbesim. Kanë qenë në formë të mirë dhe po luajnë mirë. Ata vetëm sa ishin në Bernabeu, fituan edhe atje e pastaj e fituan edhe finalen e Kupës”, tha Solskjaer.
“Kështu që jam i sigurt që ata do ta bëjnë lojën e tyre, ne tonën dhe shpresoj që të jetë një ndeshje e mirë. Le të shpresojmë që të përfundojë me rezultat si 4:3, ashtu siç kemi parë më parë. Ka pasur shumë ndeshje klasike, le ta bëjmë edhe këtë një klasike”.
Gjatë këtij sezoni ka pasur më shumë derbi mes dy klubeve të Mançesterit sesa zakonisht, pasi që Manchester Unitedi dhe City u takuan edhe në janar dy herë, gjatë dy gjysmëfinaleve të Carabao Cup. /Gazeta Express/








