Mesjava do të sjellë ndeshje interesante në javën e 23-të të Prince Caffe Superligës së basketbollit.
Sfida kryesore e kësaj xhiroje do të zhvillohet sonte mes dy rivalëve të moçëm të basketbollit kosovar, Sigal Prishtina dhe Trepça.
Këto dy skuadra së fundmi u përballën në Gjakovë në finalen e Kupës, ku fituan mitrovicasit.
“Xehetarët” janë liderë me 20 fitore e dy humbje, derisa Bardhekaltrit renditen në vendin e tretë me 14 fitore e tetë humbje.
Mitrovicasit kanë 15 fitore radhazi në elitë, derisa kanë fituar tri takimet në Superligë ndaj prishtinasve në këtë edicion, që kërkojnë titullin e kampionit.
Ndërkohë, sonte na pret edhe një sfidë tjetër interesante mes Pejës dhe Proton Cable Prizrenit.
Verdhezijntë janë në vendin e dytë me 16 fitore e gjashtë humbje, kurse prizrenasit pas fitores ndaj Sigal Prishtinës janë të motivuar dhe e kërkojnë fitoren e radhës, derisa renditen në vendin e shtatë me shtatë fitore e 15 humbje.
E nesër mbrëma do të luhen dy ndeshje të tjera të xhiros së 23-të. /Gazeta Express/









