Kroatët po votojnë sot në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ata kanë mundësi të zgjedhin mes kandidatit të Partisë Socialdemokrate në opozitë dhe ish-kryeministrit, Zoran Milanoviq, dhe presidentes së deritashme, Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Në rundin e parë, të mbajtur më 22 dhjetor, për president të Kroacisë garuan 13 kandidatë. Më së shumti vota mori kandidati i Partisë Socialdemokrate, Milanoviq, më saktësisht 29.6 për qind të votave, ndërsa në vendin e dytë ishte Kitaroviq e Unionit Demokratik Kroat, me 26.7 për qnd.
Presidenti ka rol kryesisht ceremonial në Kroaci. Kreu i shtetit nuk mund të vendosë veto ndaj ligjeve, por ka ndikim në politikën e jashtme, në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Sipas analistëve dhe rezultatit të anketave, gara mes dy kandidatëve në rundin e dytë do të jetë e ngushtë, ndonëse disa mendojnë se Grabar-Kitaroviq e ka një epërsi të vogël.
Kroacia e ka presidencën e Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërsa në vjeshtë do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18, ndërsa rezultatet e para preliminare pritet të dalin vetëm një orë më vonë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.








