Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, kanë përuruar CT-në 128 shtresore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, e cila është e para e këtij lloji në institucionet publike shëndetësore në Kosovë. CT-ja 128 shtresore në vlerë prej 400 mijë euro është donacion i Qeverisë së Luksemburgut, që përmes programit përkrahës për shëndetësi në Kosovë tani e disa vjet i ka dhënë ndihmë të madhe reformave dhe avancimit të shërbimeve shëndetësore.

Ismaili ka uruar profesionistët shëndetësorë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për këtë pajisje të re, duke thënë se kjo është në vazhdën e modernizimit të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Ai ka falënderuar edhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme për shëndetësinë kosovare. 100 mijë euro shtesë janë ndarë edhe për pajisje të tjera për këtë spital, ultrazë dhe Holltera për Repartin e Kardiologjisë, Neurologjisë dhe Pulmologjisë.








