Serbia është shndërruar gjatë vitit të kaluar në një nga vatrat kryesore të sulmeve ndaj lirisë së medias në Evropë, thuhet në raportin vjetor të organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve.
Në raportin me titull “Në pikë kthese: Liria e medias 2025”, theksohet se numri i sulmeve ndaj gazetarëve u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2025, në një klimë gjithnjë e më armiqësore ndaj mediave të pavarura, veçanërisht pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, tragjedi që nxiti protesta masive kundër korrupsionit.
Sipas raportit, gazetarët që raportuan nga terreni gjatë protestave u përballën me rreziqe serioze sigurie.
“Përdorimi i tepruar i forcës nga organet e rendit përbënte rrezik serioz shtesë për gazetarët, ndërsa policia reagoi ose me mosveprim ose duke i ekspozuar drejtpërdrejt ndaj dhunës dhe arrestimeve arbitrare”, thuhet në dokument.
Veçanërisht i dhunshëm cilësohet protesta e 28 qershorit në Beograd, ku disa gazetarë u plagosën. Edhe në Novi Sad janë regjistruar raste të shumta të pengimit të mediave, përfshirë arrestime dhe konfiskim pajisjesh.
Raporti thekson se deklaratat e zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë kontribuar në nxitjen e armiqësisë ndaj mediave të pavarura, duke i paraqitur ato si “armiq të shtetit”.
Armiqësia, sipas raportit, ka qenë veçanërisht e drejtuar ndaj televizionit N1, i cilësuar si “televizioni kryesor i mbetur i pavarur”. Përmendet mbështetja publike që Vuçiç i ka dhënë fushatave të shpifjeve kundër gazetarëve të këtij televizioni, si dhe kërcënimet e përsëritura me vdekje që redaksia ka marrë, përfshirë një letër kërcënuese “në stilin e Charlie Hebdo”.
Në raport përmenden gjithashtu sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve të mediave si Nova, Danas, Radar dhe Insajder TV, ndërsa autorët shpesh kanë mbetur pa u ndëshkuar.
Sipas monitorimit të Qendrës për Pluralizëm dhe Liri të Medias (MPM), Serbia ka nivel të lartë rreziku (68%) për shkak të përqendrimit të tregut mediatik nën kontrollin në rritje të shtetit dhe partisë në pushtet.
Raporti kritikon edhe procesin e emërimit të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), duke e cilësuar atë të mangët dhe pa transparencë.
Në prill, kanalet N1 dhe Nova TV u hoqën nga shpërndarja satelitore, duke kufizuar aksesin e publikut. Hetime të OCCRP dhe KRIK zbuluan plane të motivuara politikisht për dobësimin e pavarësisë së tyre.
Edhe ministri i Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, citohet të ketë deklaruar se N1 dhe Nova “nuk duhet të ekzistojnë në eterin tonë”.
Serbia renditet ndër vendet me numrin më të madh të padive SLAPP – padi strategjike për të frikësuar dhe heshtur mediat, sidomos ato që hetojnë korrupsionin dhe krimin.
Raporti përmend gjithashtu përdorimin e paligjshëm të mjeteve të avancuara të spiunimit ndaj gazetarëve. Dy gazetare të BIRN-it, të identifikuara si Bogdana (pseudonim) dhe Jelena Veljkoviq, dyshohet se ishin objektiv i tentativave për instalimin e softuerit spiun Pegasus përmes mesazheve të dyshimta në Viber.
Dokumenti thekson se edhe gazetaret janë shpesh objekt i sulmeve online dhe publikimit të të dhënave personale, duke përmendur rastin e Kristina Demeter Filipçev nga portali Beçejski mozaik, e cila mori kërcënime për përdhunim pas raportimit për përkujtimin e viktimave në Novi Sad.
Raporti i paraqitur në Bruksel e vendos Serbinë në fokus së bashku me vende si Azerbajxhani, Gjeorgjia, Hungaria, Sllovakia dhe Turqia, duke e përshkruar gjendjen e mediave si “të jashtëzakonshme” dhe të karakterizuar nga kërcënime ndaj sigurisë së gazetarëve, ndërhyrje politike, kapje të mediave dhe përdorim të mjeteve të survejimit. /N1








