Blerand Stavileci e ka dhënë një rrëfim special të kohës së paraluftës në emisionin “Majtas jo Djathtas” në T7.
Ish-ministri kosovar, sot kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, foli për kohërat e vështira kur ai me shokët detyroheshin të luanin basketboll fshehtas policisë serbe, e cila i kishte ndalur të gjitha aktivitetet sportive të shqiptarëve në Kosovë, shkruan “Gazeta Express”.
Stavileci ndër të tjera e ka kujtuar kohën kur u ishte dashur t’i mashtronin policët nëpër punkte kinse po shkojnë për vizita nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa kur luanin në palestrën 1 Tetori, kamuflonin për të mos u vërejtur nga policia serbe.
“Kur jam bërë kryetar i klubit fillimisht, krejt thoshin se s’bën me i përzi politika në sport. Blerandi është një njeri që e ka dashur sportin gjithmonë, kam qenë një fëmijë që kam dhënë shumë, i kam bërë të dyja mirë, edhe mësim-nxënien dhe sportin, në kohëra të vështira. Kam luajtur basketboll dhe futboll. Me 14 vjeç kam nisur të luaja për Prishtinën. Ne si kemi shkuar në ndeshje, jo vetëm ndeshje, por edhe finalen e kampionatit të pavarur të Kosovës, e kemi luajtur nëpër shkolla fillore. I kemi veshur fanellat e Prishtinës, me logo të klubit dhe të Federatës, në atë kohë me të nxënë serbët ka qenë, nëpër punkte policore i kemi mashtruar kinse po shkojmë nëpër ndonjë vizitë prej një qytetit në një qytet tjetër”, theksoi fillimisht ish-basketbollisti kosovar.
“Ose kemi improvizuar në sallën 1 Tetori, ku është luajtur finalja mes Prishtinës dhe Dritës në atë kohë, i kemi lënë golat dhe fëmijët që kanë qenë vijues të asaj shkolle, që në rast se vjen policia e asaj kohe, të hyjnë dhe të luajnë fëmijët. Na ka ndodh një gjë e tillë, na kanë paralajmëruar se po vjen policia, kujdestarët e shkollës, njëri rrinte në një lloj fushe te 1 Tetori, për të sinjalizuar se po vjen policia. Na ka ndodhur një herë në gjysmëfinale në lojën Prishtina – Vëllaznimi, në sezonin 1997/98. Kështu që ka qenë shumë e vështirë, por ne e kemi dashur shumë sportin në atë kohë. Njëkohësisht kam qenë një nxënës mjaft i mirë. Ky është Blerandi i paraluftës. Pastaj, përpos që kam qenë sportist i suksesshëm, kam qenë edhe drejtor dhe kryear, po ashtu me plot suksese”, e vazhdon rrëfimin Stavileci, i cili foli edhe për babanë e tij të ndjerë, profesor Masar Stavilecin, i cili ishte inspirues, shembull dhe udhërrëfyes për të. /Gazeta Express/








