Ambasada e Federatës Ruse në Mal të Zi ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke akuzuar gazetën ditore Pobjeda dhe portalin e saj online për, siç thuhet, “rritje të vazhdueshme të publikimeve antiruse” dhe përhapje të “fakteve të sajuara”.
Në deklaratën e nënshkruar nga ambasadori rus në Podgoricë, Aleksandar Lukashik, thuhet se autorët e këtyre shkrimeve “nxisin ndjenja rusofobike” dhe se me qëllim po mashtrojnë opinionin publik, duke shtrembëruar politikën e jashtme të Rusisë dhe veprimet e saj në Ukrainë.
Ambasada ruse shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se vlerësimet e saj për shkrimet e Pobjedës i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ndërsa kërkon që gazeta të publikojë materiale të përgatitura nga vetë Ambasada lidhur me, siç e quan ajo, “gjendjen reale” të luftës në Ukrainë.
Ky reagim interpretohet nga njohës të mediave dhe analistë politikë si përpjekje e drejtpërdrejtë për presion dhe ndërhyrje në pavarësinë editoriale të mediave në Mal të Zi. Sipas tyre, nuk është hera e parë që përfaqësues diplomatikë rusë reagojnë ashpër ndaj raportimeve kritike, duke tentuar të diskreditojnë mediat që nuk ndjekin narrativën zyrtare të Moskës.
Ngjarja vjen në një kohë kur analistë të ndryshëm dhe ekspertë të gjeopolitikës paralajmërojnë se Rusia, së bashku me faktorë politikë serbë, po tenton të zgjerojë ndikimin dhe kontrollin e saj politik, mediatik dhe shoqëror në Mal të Zi, veçanërisht përmes presioneve ndaj mediave kritike dhe përçarjes së opinionit publik.








