Selektori i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti folën para mediave për ndeshjen ndaj Anglisë në kualifikueset e Botërorit 2026.
Sylvinho ka thënë se Anglia është një ndër favoritet për ta fituar Botërorin, teksa thotë se nesër pret se do të bëjnë ndeshje të mirë.
“Anglia është një nga favoritet për të fituar Botërorin. Është një ndeshje e vështirë, me një ekip që ka 21 pikë në 7 ndeshje dhe nuk ka pësuar asnjë gol. Jam krenar për të gjithë lojtarët e mi dhe mendoj se nesër do të bëjmë një ndeshje të mirë”, tha ai.
Ndërkohë, Gjimshiti thotë se do të luajnë si skuadër.
“Do luajmë si skuadër, do mbrojmë të gjithë. Jemi të përqendruar te e gjithë skuadra e Anglisë, jo vetëm te Harry Kane. Në këto lloj ndeshjesh, me kundërshtarë me kualitet të lartë, mund të mësosh. Nuk po mendojmë për shortin për momentin”, tha kapiteni i kombëtares shqiptare.
Ndeshja Shqipëri – Angli luhet nesër në “Air Albania”, me fillim nga ora 20:45.
Shqipëria e ka siguruar kualifikimin në “play-off” nga vendi i dytë./GazetaExpress/








