Së paku 26 pjesëtarë të forcave të sigurisë në Afganistan u vranë gjatë një vale të re të sulmeve të talibanëve, të cilat ndodhën në pjesën veriore të vendit në ditën e fundit të vitit 2019.
Në provincën veriore, Kunduz, së paku dhjetë pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën pas një sulmi ndaj një pike kontrolli në orët e vona të së martës. Lajmin e bëri të ditur kryetari i këshillit provincial, Mohammad Yusouf Aybi.
Në provincën e Balkh-ut, talibanët i vranë nëntë policë gjatë një sulmi në një pikë kontrolli, ndërsa fati i katër policëve të tjerë nuk dihet.
Shtatë pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në një sulm tjetër, gjatë luftimeve të policisë me militantët talibanë. Një zëdhënës lokal tha se në këtë përleshje u vranë edhe dhjetë luftëtarë talibanë.
Më parë gjatë kësaj jave, talibanët thanë se nuk e kanë në plan të shpallin armëpushim në Afganistan, duke lënë të kuptohet se sulmet e tyre do të vazhdojnë edhe këtë vit.
Militantët talibanë po vazhdojnë të kryejnë sulme pothuajse përditë. Cak i tyre janë forcat amerikane dhe zyrtarët e qeverisë afgane, shkruan "Free Europe", transmeton Gazeta Express.








