Së paku 13 pjesëtarë të forcave të armatosura afgane janë vrarë gjatë një sulmi të talibanëve në një pikë kontrolli në provincën veriore të Kunduz-it.
Safirullah Amiri, anëtar i Këshillit Provincial, tha se militantët e nisën këtë sulm gjatë natës në distriktin Dasht-e Archi.
Tetë ushtarë dhe së paku katër policë u plagosën gjatë luftimeve me talibanët, ndërsa së paku tre të tjerë janë marrë peng nga talibanët, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Guvernatori i këtij distrikti, Saduddin Sayyed, tha se përleshja e armatosur ka vazhduar deri në mëngjes dhe se talibanët kanë rrëmbyer armë nga pika e kontrollit.
Përgjegjësinë për këtë sulm e morën talibanët. Sulmi ndodhi vetëm një ditë pas vrasjes së dhjetë policëve në një stacion policor në provincën Baghlan.
Ndërkohë forcat speciale afgane i liruan 62 pjesëtarë të forcave të sigurisë nga një burg i talibanëve përmes një operacioni që u zhvillua natën e kaluar.








