Gjashtë të akuzuarit për vepra penale që lidhen me terrorizmin, të cilët janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me mbi 25 vjet burg, po kërkojnë pafajësinë në Gjykatën e Apelit.
Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, po kërkojnë nga Apeli të shpallen të pafajshëm për veprat penale me të cilat i ngarkon prokuroria, raporton ‘Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2019, i kishte shpallur fajtorë gjashtë të akuzuarit për vepra penale që lidhen me terrorizmin, të cilët i kishte dënuar me burgim prej mbi 25 vjet burg efektiv.
E pakënaqur me dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë, kishte qenë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ka ushtruar ankesë lidhur me lartësinë e dënimit.
Kjo me arsyetimin se rrethanat lehtësuese dhe rënduese nuk janë vlerësuar drejtë nga gjykata e shkallës së parë.
Sipas prokurorisë, gjykata ka nënvlerësuar rrethanat rënduese me rastin e matjes së lartësisë së dënimit ndaj të akuzuarve, e veçanërisht ndaj të akuzuarin Musliu.
Ankesë për shkelje esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penale dhe lartësinë mbi dënimin kanë ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët, Flamur Podvorica, Visar Vehapi, Arbër Fazliu, Hamdi Jashanica, Aziz Rexha dhe Zahir Hamza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Behrami, avokati Arber Fazliu deklaroi se mbetet ne tërësi pranë ankesës, duke shtuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje të dispozitave ligjore.
Ai tha se vet kualifikimi juridik i veprës penale nuk përkon me veprimet inkriminuese të të mbrojturit të tij.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Resimm Kastrati, avokati Hamdi Jashanica, tha se nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij është kryerës i veprave penale për të cilat është shpallur fajtor.
Vet i akuzuari Kastrati tha se akuza jo vetëm që është e pa bazë, por është një shpifje ndaj tij.
“Unë edhe siç kam deklaruar më parë mbrojtës e kam vetëm Allahun, ndërsa avokati kryen vetëm punën e tij në aspektin procedural. Jo vetëm që janë akuza të pabaza, por janë edhe shpifje”, tha Kastrati.
Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gramos Shabani, avokati Visar Vehapi, i cili ka kërkuar anulimin e aktgjykimit, pasi që i njëjti sipas tij, është i përfshirë në shkelje procedurale.
“Ky aktgjykim as minimalisht nuk i plotëson kriteret formale dhe kërkoj që Apeli ta prish këtë aktgjykim apo ta ndryshoj dhe të mbrojturin tim ta liroj”, tha Vehapi.
E në ankesën e ushtruar nga mbrojtësi i tij, e përkrahu edhe vet i akuzuari Shabani, i cili ndër të tjera tha se është i pafajshëm dhe se kërkon nga Apeli që atë dhe gruan e tij, Edona Haliti, t’i lirojë nga akuza.
“Unë e kundërshtoj aktgjykimin me të cilin jam shpall fajtor. Jam i pafajshëm. Nuk kam ndërmarr asnjë veprim me te cilin mund te shpallem fajtor. Pafajësia ime u bo e qartë, për atë që do të vërtetën, synimi im është jeta dhe jo vdekja”, ka deklaruar ai
E pafajësinë e kërkoi nga Apeli, edhe e akuzuara Edona Hlaiti, e cila përmes mbrojtësit të saj, avokatit Aziz Rexha, ka kërkuar të shpallet e pafajshme.
Lirimin për të mbrojturin e tij, Albert Ademaj e kërkoi nga gjykata e shkallës së dytë edhe avokati Zahir Hamza, i cili ka ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore.
I pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë ishte edhe i akuzuari Musliu, i cili përmes mbrojtësit të tij, avokatit Fatlum Podvorica, ka ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore.
Ndërkaq, vet i akuzuari Musliu tha se asnjëherë në jetën e tij nuk kishte parë një aktakuzë kaq të shpifur dhe të pabazuar në ligj.
Ndryshe, më 20 dhjetor 2019, ishte paraparë seanca ku Gjykata e Apelit, do të shqyrtonte ankesat e mbrojtësve të gjashtë të dënuarve për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, por për shkak të mos dërgimit me rregull të ftesave, e njëjta ishte shtyrë.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 shtator 2019, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, i akuzuari Bujar Behrami, ishte dënuar me 10 vjet burgim efektiv, për dy vepra penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, si dhe “kryerja e veprës terroriste”.
Për të njëjtat vepra penale, me katër vjet burg ishte dënuar edhe i akuzuari Resim Kastrati.
I akuzuari për përgatitje të veprave terroriste dhe për rekrutim në terrorizëm, Gramos Shabani ishte dënuar me dënim unik prej shtatë vjet burgim.
Kurse, Edona Haliti ishte dënuar me një vit burgim, për “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, dhe veprën penale “kryerja e veprës terroriste”.
Albert Ademaj ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për mos lajmërim të veprave penale.
Për mos lajmërim të veprave penale dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Musliu ishte dënuar me dënim unik prej dy vjet e tre muaj burgim. .
Të akuzuarit Bujar Behrami, si dënim plotësues i ishte konfiskuar shuma prej 9000 mijë euro, ndërsa të akuzuarit Musliu, armët dhe fishekët e sekuestruar.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 tetor 2018, të akuzuarit Bujar Behrami e Resim Kastrati, gjatë periudhës kohore nga muaji dhjetor 2017 e deri me datën 29 qershor 2018, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Bujar Behrami ka tentuar ta krijojë grupin me emër “Ndihmëtarët e shtetit Islam në tokën e shqiponjave”, për të vepruar në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Veçmas janë përgatitë për sulme terroriste në diskotekat “Insomnia” dhe “Kamboxha” në Graçanicë, si dhe ndaj kishës ortodokse afër kafenesë “Moskva”, në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe vende të tjera të frekuentuara me qytetarë.
Në aktakuzë thuhet se Resim Kastrati është angazhuar në drejtim të furnizimit me armë të zjarrta dhe materiale plasëse, si dhe gjetjen e personave për vendosjen e jelekëve me eksploziv.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.
I akuzuari Bujar Behrami, sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë muajit prill – maj të vitit 2018, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë, e gjatë komunikimit me personin e quajtur Mursel Murseli, i njëjti nga Gjermania ka dërguar mjete financiare për të dyshuarin Resim Kastrati, me qëllim të blerjes së materialeve eksplozive dh armëve të zjarrta.
Në aktakuzë thuhet se me datë 20 prill 2018, 24 prill 2018 dhe 14 maj 2018, përmes institucioneve për transferimin e parave “Money Gram” dhe “Ëestern Union”, tërthorazi ka dërguar shumën e të hollave prej 2629.45 euro, 3117.01 euro dhe 3255.00 euro (gjithsej 9001.46 euro), në emër të personit të quajtur Petrit Gashi, e që edhe të njëjtat transaksione me implementimin e masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit janë konfirmuar nga vet i dyshuari Behrami.
Me këtë, sipas prokurorisë, Bujar Behrami, ka kryer veprën penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, nga neni 138, par. 1 i KPRK – së.
Aktakuza e ngarkon edhe Gramos Shabanin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144, par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste”, nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.
Kjo sepse, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, i akuzuari Gramos Shabani, me dashje direkte ka planifikuar përgatitjen e akteve terroriste në Belgjikë dhe në Francë, meqë është edhe shtetas belg.
Sipas prokurorisë, ai ka planifikuar sulm vetëvrasës me eksploziv në vende ë frekuentuara me qytetarë, e që me implementimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, përkatësisht monitorimin e bisedave ne vende publike dhe private nga ana e Policisë së Kosovës – DKT, në Prishtinë, më 05 qershor 2018, i njëjti arrestohet.
Po ashtu, Gramos Shabani, me 02 qershor 2018, me dashje direkte i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij Edona Haliti nga Hajvalia, në drejtim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke e udhëzuar që të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive me automjet, ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë dhe në vendet e tjera të frekuentuara me qytetarë, e duke e planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materiale eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.
Për këto veprime, prokuroria e ngarkon me veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 i KPRK – së.
E akuzuara Edona Haliti, sipas aktakuzës, gjatë muajit maj e deri më 02 qershor 2018, duke vepruar sipas udhëzimeve të të akuzuarit Gramos Shabani, është përfshirë bë veprime inkriminuese të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë, duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR – it në Kosovë, si dhe në vende të tjera të frekuentuara me qytetarë, duke u furnizuar me armë të zjarrta dhe materie plasëse me qëllim të kryerjes së aktit terrorist.
Për shkak të këtyre veprimeve, aktakuza e ngarkon Edona Halitin me veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par. 3, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.
Dy të akuzuari e tjerë Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, prokuroria i akuzon se nga muaji dhjetor 2017, e deri më 29 qershor 2018, në Prishtinë dhe vende të tjera në Kosovë, edhe pse kanë qenë në njohuri dhe të informuar se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitë akte terroriste në Kosovë, nuk i kanë lajmëruar në polici për veprimet inkriminuese të veprave penale nga kapitulli XIV – veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 1, lidhur me veprën penale nga neni 136, par. 1 i KPRK – së.
Me këtë, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu, sipas aktakuzës, kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, nga neni 386, par. 1, nën paragrafi 1.4 i KPRK – së.
Të akuzuarit Leotrim Musliu, i vihet barrë edhe vepra penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.
Kjo sepse, sipas aktakuzës, në kohë të pa vërtetuar, pa leje valide, e në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, i akuzuari Musliu, ka siguruar dhe mbajt në pronësi armë të zjarrtë – pushkë automatike, që me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse nga ana e Policisë së Kosovë, e njëjta, bashkë me municion, i janë sekuestruar.








