Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, në konferencën e fundvitit para gazetarëve, ka thënë se Kosova ka shënuar progres në vitin 2019, derisa ka bërë thirrje që të formohen sa më shpejt institucionet në vend, raporton Gazeta Express
Thaçi tha para mediave se sukses i këtij viti ka qenë edhe organizimi i mirë i zgjedhjeve, derisa ka kërkuar që të formohet sa më shpejt qeveria e re.
“Kosova ka shënuar progres në vitin 2019, ju takon edhe juve dhe keni një kontribut të madh. Dua të theksoj se viti 2019 ka qenë një vit i një progresi të mirë në të gjitha rrafshet, reforma, zhvillim ekonomik, afrim të të gjitha komuniteteve. Formimi i ushtrisë dhe marrjen e përgjegjësisë nga shteti. Është për t’u vlerësuar organizimi i mirë i zgjedhjeve, tashmë mbetet që të shohim në javën e ardhshme implementimin e vullnetit të qytetarëve nga partitë”, ka thënë presidenti.
Sipas tij, është meritë e gjithë spektrit politik organizimi i zgjedhjeve, e se partitë duhet të lëvizin sipas vullnetit të qytetarëve.
“Është meritë e të gjithë spektrit politik. Tashmë partitë politike duhet të lëvizin në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve. Natyrisht s’ka qenë vit krejt i lehtë, por mendoj që ato sfida do të tejkalohen, jemi shtet i ri që po dëshmohemi çdo ditë. Jam i bindur se të bashkuar do të jemi më të fortë, më të suksesshëm dhe më produktivë”, ka thënë ai. /GazetaExpress/








