Një grup ultrasish të Juventusit kanë shprehur mbështetjen e tyre për trajnerin e saposhkarkuar Igor Tudor, vetëm pak orë pasi klubi zyrtarisht konfirmoi largimin e tij: “Njëri prej nesh”.
Juventusi njoftoi të hënën se ishte ndarë me Tudorin, i cili kishte tetë ndeshje radhazi pa fitore në të gjitha kompeticionet dhe katër ndeshje pa shënuar gol, me humbjen 1-0 në transfertë ndaj Lazios që vulosi fundin e aventurës së tij.
Sipas “Football Italia”, “Bianconerët” tashmë kanë hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë me ish-trajnerin e kombëtares italiane, Luciano Spalletti, i cili konsiderohet kandidati kryesor për të zëvendësuar Tudorin në “Allianz Stadium”.
Vetëm disa orë pas njoftimit të shkarkimit të tij, ultrasit e Juventusit nga “Curva Sud” vendosën një banderolë jashtë “Allianz Stadium”, duke i shprehur mbështetje Tudorit.
Në banderolë shkruhej: “Tudor, njëri prej nesh. Peshku qelbet nga koka”.
Striscione comparso fuori dall’#AllianzStadium. #Juventus #Tudor pic.twitter.com/0IRlxJEbQ0
Tudor drejtoi Juventusin në 24 ndeshje zyrtare, përfshirë edhe periudhën e tij si trajner i përkohshëm në fund të sezonit 2024-25.
Ai regjistroi një mesatare prej 1.58 pikësh për ndeshje gjatë asaj kohe.
Ai është trajneri i tretë i Juventusit që largohet brenda 18 muajve, pas shkarkimeve të Thiago Motta në mars 2025 dhe Massimiliano Allegri në maj 2024./GazetaExpress/








