Ish-deputeti i PSD-së, Faton Topalli, ka kritikuar ish-partinë e tij, Vetëvendosje, për gjoja një takim të VV-së dhe LDK-së në “selinë e shteteve të QUINT-it”, raporton Gazeta Express.
Topalli përmes një statusi në Facebook ka shkruar se takimi i dy partive që po mundohen ta formojnë qeverinë në “selinë e shteteve të QUINT-it” flet për mungesën e dinjitetit shtetëror.
Siç dihet, shtetet e QUINT-it nuk kanë “seli” të caktuar por QUINT-i përbëhet nga pesë shtete: SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia.
Ish-deputeti i legjislaturës së kaluar është shprehur i indinjuar që VV-ja dhe LDK-ja duhet të marrin një të huaj për të arritur marrëveshjen.
“Mesazhi është që partitë politike shqiptare në këtë rast dy partitë fituese të zgjedhjeve, qoftë edhe për një marrëveshje mes vete, duhet pasur gjithnjë një të huaj afër, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë”, ka shkruar Topalli. /GazetaExpress/








