Prodhuesi i njohur japonez i veturave, Toyota, e ka zbuluar planin për ndërtimin e të ashtuquajturit “qytet i së ardhmes” në malin Fuji. Veturat dhe pajisjet e tjera në këtë qytet do të funksionojnë me energji të hidrogjenit.
Qyteti do të dallohet me veturat vetëvozitëse, robotët e avancuar dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Gjiganti automobilistik tha se qyteti Woven do të shtrihet në një sipërfaqe prej 70 hektarësh në tokën e një fabrike që është në procesin e mbylljes. Në të pritet të banojë në mënyrë të përhershme një numër i caktuar i banorëve dhe hulumtuesve. Qytetit i është vënë emri në bazë të origjinës së kompanisë.
Plani për qytetin prototip u prezantua në panairin e teknologjisë në Las Vegas. Në këtë qytet nuk do të lirohet dyoksid i karbonit dhe interneti do të përdoret në të gjitha fushat e jetës së përditshme.
Zyrtarët e Toyota-s thanë se rreth dy mijë persona, kryesisht punëtorë të kompanisë, do të jetojnë në këtë qytet, ndërsa ndërtimi i tij pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
Qyteti është dizajnuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels. Kompania e tij më parë i ka dizajnuar edhe ndërtesën e Qendrës së Tregtisë Botërore në Nju Jork dhe zyrat e gjigantit “Google” në Londër, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








