Sipas “Calcio&Finanza”, Juventusi do të duhet të paguajë pothuajse 30 milionë euro për të mbuluar pagat e ish-trajnerëve të tyre, Thiago Motta dhe Igor Tudor, të cilët mbeten ende nën kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Raportimet tregojnë se Juventusi pritet të paguajë rreth 30 milionë euro për pagat e dy trajnerëve të shkarkuar, Motta dhe Tudor.
Tudor u emërua në mars të vitit 2025 për të zëvendësuar Mottën dhe nënshkroi një kontratë deri në vitin 2027, pasi e udhëhoqi klubin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Bilanci më i fundit financiar i Juventusit, për vitin që përfundon më 30 qershor 2025, tregon se klubi ka ndarë tashmë 16.3 milionë euro për të mbuluar pagën e Mottës dhe stafit të tij deri në qershor 2027.
Shifrat për pagën e Tudor nuk janë zyrtare, por besohet se kroati ka nënshkruar një kontratë me vlerë 3 milionë euro në vit deri në vitin 2027 - afërsisht 5.5 milionë euro bruto - çka e çon shpenzimin total në rreth 11 milionë euro, pa përfshirë pagat e stafit të tij.
Kjo do të thotë se Juventusi do të duhet të paguajë mbi 27.3 milionë euro për ish-trajnerët e vet, përveç nëse arrihet një marrëveshje për ndërprerjen e kontratave, ose nëse Motta dhe Tudor gjejnë një klub të ri përpara skadimit të tyre në vitin 2027.
Sakaq, Juventusi e ka identifikuar Luciano Spallettin si zëvendësuesin ideal të Tudorit dhe, sipas raportimeve të ndryshme, drejtori i klubit, Damien Comolli, pritet të takohet sot me ish-trajnerin e Italisë./GazetaExpress/








