Trajneri i Greqisë, John van 't Schip, është shprehur i bindur se ekipi i tij kombëtar do ta fitojë Grupin 3 në Ligën C, pas shortit për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve sot në Amsterdam, edhe pse e pranoi se ndaj Kosovës do ta ketë të vështirë.
Greqia është në një grup me Kosovë, Slloveninë dhe Moldavinë në Ligën C, pas shortit që u hodh sot në Amsterdam të Holandës, raporton Gazeta Express.
Edhe pse i vetëdijshëm se ndeshjet në Ligën e Kombeve nuk janë të lehta, Schip mendon se Greqia e tij është superiore ndaj të tjerëve në grup.
“Do të jetë ndeshje e vështirë ndaj Kosovës. Ne si Greqi jemi në periudhë ndërtimi. Kemi mundësi të mirë por nuk ka ndeshje të lehta në këtë garë. Mendoj se ne do ta fitojmë grupin në fund”, tha Schip.
Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por himni i verdhekaltërve pritet të dëgjohet në stadiumin e këtij vendi.
Ndeshjet do të zhvillohen mes shtatorit dhe nëntorit të këtij viti në një format vajtje-ardhje.
Fituesit e katër grupeve do të promovohen në Ligën B – niveli i dytë i garës – ndërsa Kombëtaret që përfundojnë në vendin e fundit në grupet e tyre përkatëse, do të luajnë në play-off për rënie në Ligën D. /Gazeta Express/








