Trajneri i Moldavisë, Engin Firat, beson se Kosova është favorite për ta fituar grupin para skuadrës së tij dhe Greqisë e Sllovenisë në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Kombëtares dardane i ra shorti – i mbajtur sonte në Amsterdam, të luajë në Grupin 3 të Ligës C me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë, në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, raporton Gazeta Express.
Firat është i vetëdijshëm se ekipi i tij kombëtar ishte e pafat në short, pasi do të përballet me kombëtare më të forta.
Ai e sheh Kosovën si ekipin më gjasa më të mëdha për ta fituar grupin dhe për t’u promovuar në Ligën B, duke u thirrur mbi suksesin e verdhekaltërve në vitin e fundit.
Kosova e fitoi grupin e vet pa pësuar asnjë humbje në Ligën D në edicionin inaugurues 2019, duke e siguruar promovimin në një nivel më lart dhe duke e siguruar një vend në play-off për kualifikim në Euro 2020.
Dardanët ishin në garë për kualifikim përmes rrugës tradicionale deri në ndeshjen e parafundit në grup, po ashtu, para se të mposhteshin nga Republika e Çekisë.

“Kosova është ndër skuadrat më të mira në vitet e fundit në Evropë, për shkak të përmirësimit të madh që e ka bërë duke e nisur nga zero”, tha Firat.
“Nëse një ekip është favorit për ta fituar Grupin, ajo është Kosova”, shtoi ai.
Në një format të garës vajtje-ardhje, dardanët do të udhëtojnë drejt dy vendeve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Greqi dhe Moldavi.
Por Firat beson se kjo nuk do të paraqet problem dhe se do të gjendet një zgjidhje për zhvillimin e ndeshjeve.
Fituesit e katër grupeve do të promovohen në Ligën B – niveli i dytë i garës – ndërsa Kombëtaret që përfundojnë në vendin e fundit në grupet e tyre përkatëse, do të luajnë në play-off për rënie në Ligën D. /Gazeta Express/








