Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka akuzuar zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike për shpallje të luftës së hapur ndaj demokracisë amerikane, vetëm një ditë para votimit historik që mund ta bëjë kreun e Shtëpisë së Bardhë vetëm presidentin e tretë në histori të ShBA-së që hetohet nga organet e drejtësisë.
Presidenti amerikan e bëri këtë akuzë nxitëse përmes një letre që ia dërgoi kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike, Nancy Pelosi.
Në letrën me gjashtë faqe, të mbushur me kritika, presidenti Trump i akuzon arkitektët e procesit hetimor kundër tij për shkelje të betimit zyrtar në detyrë dhe shkelje të besnikërisë ndaj kushtetutës amerikane.
Deklarata e presidentit se procesi i hetimeve është shpallje e luftës së hapur ndaj demokracisë po shihet si përpjekje e qartë për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të kundërshtarëve politikë se ai e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe e ka penguar punën e Kongresit.
Demokratët e kanë akuzuar presidentin Trump se e ka keqpërdorur pushtetin duke i bërë presion Ukrainës për ta hetuar rivalin e tij politik, ish-zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.
Presidenti tha se e shkroi këtë letër për qëllime historike. Mes tjerash, në të thuhet: “Pas njëqind vjetësh, kur njerëzit ta shikojnë këtë çështje, dua që ata ta kuptojnë këtë në mënyrë që kjo të mos i ndodhë më asnjë presidenti”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








