Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë tarifa 200% mbi verërat dhe shampanjat franceze, në një përpjekje të dukshme për ta bindur presidentin francez Emmanuel Macron që t’i bashkohet nismës së tij “Bordi i Paqes”, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale.
Iniciativa e Trump, e cila do të fillojë duke iu drejtuar Gazës dhe më pas do të zgjerohet për t'u marrë me konflikte të tjera, ngre pyetje rreth rolit të Kombeve të Bashkuara dhe një burim pranë Macron tha se presidenti francez kishte ndërmend ta refuzonte ftesën për t'u bashkuar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kur u pyet për qëndrimin e Macron, Trump tha: "A e tha ai këtë? Epo, askush nuk e do atë sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt”.
"Do të vendos një tarifë 200% për verërat dhe shampanjat e tij, dhe ai do të bashkohet, por nuk është i detyruar të bashkohet", tha Trump.
Macron pritet të jetë në Davos për ditën e së martës, përpara se të kthehet sipas planit në Paris në mbrëmje. Ndihmës nga Pallati Elysee kanë bërë të ditur se nuk ka plane për të zgjatur qëndrimin e tij deri të mërkurën, kur Trump mbërrin në qytetin malor zviceran.
Në një tjetër sulm ndaj udhëheqësit francez, Trump publikoi një mesazh privat nga Macron, në të cilin ai thoshte se nuk i kuptonte veprimet e Trump lidhur me Grenlandën. Franca do të mbajë zgjedhje për të zgjedhur pasardhësin e Macronit në vitin 2027.








