Zëvendëskomandanti i “Clan del Golf” , kartelit më të madh të drogës në Kolumbi, u mbyt kur varka në të cilën ai ndodhej u fundos. Kështu ka konfirmuar një zëdhënës i qeverisë për AFP të dielën.
Alvaro Jimenez, kryenegociatori i emëruar nga Presidenti Petro, konfirmoi për AFP vdekjen e bosit të drogës, Jose Gonzalo Sanchez. Varka në të cilën ai ndodhej u përmbys në provincën e Kordobës dhe personi i dytë në komandë i bandës u mbyt.
Autoritetet kolumbiane po e kërkonin atë për ta nxjerrë në gjyq për një sërë krimesh, duke përfshirë vrasje, zhvendosje me forcë të popullsive, trafik armësh, miniera të paligjshme dhe zhvatje.
Sanchez, i njohur edhe me nofkën “Gonsalito”, kërkohej nga autoritetet amerikane për trafik droge. “Clan del Golf” është organizata përgjegjëse për eksportet më të mëdha të kokainës nga Kolumbia. Banda u shpall organizatë terroriste nga Uashingtoni në vitin 2025.
Më 5 dhjetor, qeveria Petro ra dakord në Katar të vazhdojë bisedimet për çarmatosjen e Klanit del Golfo dhe rivendosjen e qetësisë në zonat ku po shkakton kaos.
Karteli ka pësuar pengesa në vitet e fundit, veçanërisht arrestimin dhe ekstradimin në Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 të udhëheqësit të tij, Antonio Uzuaga, ose “Otoniel”, të cilin analistët e kanë përshkruar si Pablo Escobari i këtij shekulli. Ai po vuan një dënim me 45 vjet burg.








