Notari 18-vjeçar nga Tunizia, Ahmed Hafnaouri, e ka shkaktuar tronditjen më të madhe deri më tani në Lojërat Olimpike në Tokio, duke e fituar medaljen e artë në 400 metra stil të lirë me një paraqitje mahnitëse në finale të dielën.
Ai i mposhti dy favoritët për medalje të artë, australianin Jack McLounghlin dhe amerikanin Kieran Smith dhe këmbënguli se puna e zellshme ishte kryekëput fryt i triumfit të tij habitës, raporton Gazeta Express.
Hafnaoui ishte notari më i ngadalshmi nga të gjithë garuesit e kualifikuar në finale, por bëri garë drithëruese në finale për t’i lënë mbrapa McLounghlinin, i cili e fitoi medaljen e argjendtë, dhe Smithin që e fitoi medaljen e bronztë.
Çfarë mahniti nga gara e tij ishin 50 metrat e fundit, në të cilat ai i tejkaloi dy kundërshtarët e tij, dhe përfundoi me kohën 3 minuta e 43.36 sekonda.
I pyetur nëse ishte befasuar edhe vetë nga kjo fitore, tuniziani pohoi me kokë: “Natyrisht”.
“Është e pabesueshme, nuk e besova derisa e preka murin dhe e pashë fytyrën time të parën. E pashë djaloshin australian nga korsia e gjashtë, besoj në 200 metrat e fundit. Ishte luftë e madhe në fund. Ndihem shumë mirë. Po ndihem krenar”, shtoi 18-vjeçari.
Ai tha se puna e palodhshme i ndihmoi të triumfoi: “U befasova së pari që arrita në finale. Dhe tani jam i befasuar që e kam fituar medaljen e artë. Thjesht kam punuar zellshëm me trajnerin tim, kaq”.
Hafnaoui e kishte zënë vendin e tetë në 400 metra stil të lirë në Lojërat Olimpike për të Rinj më 2018 dhe të shtatin në 800 metra.
Më 2019, ai kishte thënë për gazetën tuniziane La Presse se synimi i tij ishte ta fitonte medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike Parisi 2024. /Gazeta Express/








