Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka bërë të ditur se UEFA e ka kontaktuar FFK-në për t’u interesuar për gjendjen aktuale në vend lidhur me koronavirusin dhe shtoi se vetë Federata i ka treguar shtëpisë së futbollit evropian se ka edhe lojtarë që luajnë në Itali.
Dy ndër kapitenët e Kosovës – portieri i Torinos, Samir Ujkani, dhe mbrojtësi i Hellas Veronas, Amir Rrahmani – janë për momentin në Itali, që është vendi i prekur më së shumti nga koronavirusi në Evropë, shkruan Gazeta Express.
Por, Italia s’është i vetmi vend në Evropë që ka pësuar nga virusi Covid-19, i cili ka bërë që ndeshje nëpër kampionate e gara të ndryshme nëpër Evropë të vendoset të zhvillohen pa praninë e tifozëve në stadiume.
Shkaku i gjithë kësaj rrëmuje të shkaktuar nga koronavirusi në Evropë, UEFA e ka kontaktuar Federatën e Futbollit të Kosovës për ta pyetur për gjendjen aktuale në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, e ka pranuar, pas mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv, se gjendja nuk është shumë e mirë, por ka shtuar se kampionati do të vazhdojë më tutje në Kosovë
“Sot UEFA na ka kontaktuar që të njoftohet për situatën aktuale, i kemi treguar për situatën aktuale. Por, i kemi treguar që kemi edhe lojtarë që luajnë në Itali. Nuk është situata edhe aq e mirë, por momentalisht te ne kampionati vazhdon”, ka thënë Salihu, në një prononcim për Gazetën Express.
“Kryetari dhe Komiteti patëm mbledhje dhe diskutuam për këtë çështje. Ne jemi të harmonizuar me Ministrinë dhe qeverinë, që marrin vendime të tilla. Ne nuk kemi të drejtë të marrim vendim të tillë”.
Ndërkohë, në Shqipëri është vendosur që ndeshjet e Kategorisë Superiore, nivelit të parë të futbollit, të zhvillohen pa praninë e tifozëve, shkaku i rasteve të parave me koronavirus. /Gazeta Express/ /Doruntina Baftiu/








