UEFA do ta diskutojë si njërin ndër opsionet edhe zhvillimin e Kampionatit Evropian 2020 në dhjetor, në tentim për t’i lejuar klubet e ligave të ndryshme t’i përfundojë kampionatet vendore këtë verë, shkaku i kaosit të shkaktuar në botën e futbollit shkaku i koronavirusit.
Propozime radikale do të diskutohen të martën në një video konferencë të UEFA-s me përfaqësues të të gjitha Federatave anëtare e organizatave të ndryshme, në mënyrë që të diskutohen zgjidhjet e mundshme lidhur me rinisjen dhe përfundimin e këtij sezoni 2019/20 dhe opsionet për zhvillimin e Kampionatit Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.
Pasi që pothuajse i gjithë futbolli në Evropë është ndalur përkohësisht, gazeta britanike Telegraph shkruan se në takimin e UEFA-s do të diskutohet shtyrja e EURO 2020, si dhe Ligës së Kampionëve e Ligës së Evropës.
Përderisa as në verën e vitit 2021 nuk është e planifikuar asnjë garë për ekipet kombëtare të djemve dhe ky mbetet ende opsion, UEFA do ta shqyrtojë mundësinë të martën që Kampionati Evropian të zhvillohet në dhjetor të këtij viti.
Zhvillimi i Kampionatit Evropian në dhjetor do t’i ndërpriste ndeshjet e kampionateve vendore, ngjashëm me planin e UEFA-s për Kupën e Botës 20222, që planifikohet të mbahet në fillim të nëntorit në mënyrë që futbollistët ta kenë më të lehtë t’i durojnë temperaturat e larta në Katar.
Shtyrja e Kampionatit Evropian gjithashtu do t’u jepte mundësi klubeve t’i përfundojnë garat e këtij sezoni nëpër kampionate vendore duke i kompensuar ndeshjet e shtyra gjatë verës. /Gazeta Express/








