Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është kujdesur që video-mesazhin që ka publikuar sot, ta nisë me një porosi për liderin e LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin assesi nuk po mund të merren vesh për koalicion, raporton Gazeta Express
Kurti, derisa është shfaqur i vetëm në sallën ku zakonisht i kanë mbajtur takimet me Isa Mustafën, për të njëjtin e ka lënë një lëng molle, ujë dhe një karrige të zbrazët, si porosi që po e pret për takim.
Ka më shumë se tre muaj që takimet e gjata në Kuvend të Kosovës në mes të Kurtit dhe Mustafës po përfundojnë pa rezultat.
Mustafa, madje, ka thënë se nuk kanë pse të takohen më nga tri orë e të mos dakordohen për marrëveshje.
Në anën tjetër, LV-ja ka bërë të qartë se nuk e pranon ofertën e Lidhjes Demokratike, që nënkupton shkarkimin e kryeparlamentarit. /GazetaExpress/








