Manchester Unitedi po vazhdon të ndërmarrë hapa drejt planit të tij futuristik për ndërtimin e një stadiumi të ri – të quajtur “Wembley i Veriut” – dhe për t’u larguar nga stadiumi legjendar “Old Trafford”, i cili u rinovua për herë të fundit në vitin 2006.
“Daily Mail” ka publikuar detaje të reja për stadiumin e ri, i cili do të ndërtohet në një truall që aktualisht është në pronësi të kompanisë “Freightliner”, për të cilin Manchester United ka bërë një ofertë prej më shumë se 57.5 milionë euro, ndërsa pronarët po kërkojnë rreth 460 milionë euro.
Pavarësisht diferencës prej rreth 350 milionë paund, Manchester United dhe “Freightliner” janë afër arritjes së një marrëveshjeje.
Stadiumi i vjetër “Old Trafford”, i ndërtuar në vitin 1910, do të shembet ndërsa klubi planifikon të investojë 2.4 miliardë euro për ndërtimin e stadiumit të ri.
Plani i Manchester United është të ndërtojë një stadium modern, futuristik dhe me çati të lëvizshme, me një kapacitet maksimal prej 100,000 spektatorësh, të cilin shpresojnë ta inaugurojnë në sezonin 2030-31.
Bashkëpronari i klubit dhe njeriu më i pasur në Britani, Sir Jim Ratcliffe, e ka përshkruar stadiumin e ardhshëm të United si “të pabesueshëm dhe ikonik”.
Që në vitin 2014, pronarët e “Djajve të Kuq” e kishin quajtur projektin e stadiumit të ri “Wembley i Veriut”.
Ky projekt madhështor është dizajnuar nga arkitekti i famshëm britanik Lord Norman Foster./GazetaExpress/








