Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se dega e PDK’së në Prishtinë ka vendosur që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që të kërkojë ndaljen e punimeve afër zonës së liqenit të Badovcit.
“Gjatë këtyre ditëve kam parë shumë reagime dhe pakënaqësi të qytetarëve në lidhje me lajmet për ndërtime në liqenin e Badovcit. Përderisa kam ndjekur edhe disa përgjigje zyrtare, për mua, ashtu sikur për të gjithë të tjerët, akoma shumëçka mbetet ende e paqartë”, ka thënë Ismaili.
“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Degës së PDK-së në Prishtinë kemi vendosur që përmes asambleistëve tanë në Komunë të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme”
Tutje Ismaili kërkon që përvec ndaljes së punimeve, do të dalin edhe me kërkesa konkrete për mirëmbajtje dhe zhvillim të asaj zone në dobi të të gjithë qytetarëve.
“Në këtë seancë, ne jo vetëm që do të kërkojmë ndaljen e çfarëdo ndërtimi që eventualisht tentohet të bëhet në atë zonë, por do të dalim edhe me kërkesa konkrete për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e asaj zone në dobi të të gjithë qytetarëve të Prishtinës”, ka shtuar Ismaili duke kërkuar nga partitë tjera që t’i bashkohen kësaj nisme. /Express/








