Militantët talibanë e kanë sulmuar një pikë kontrolli në provincën Balkh në pjesën veriore të Afganistanit, duke vrarë së paku 15 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Më shumë se 18 vjet pas rrëzimit të talibanëve nga pushteti përmes ndërhyrjes së forcave të NATO-s, forcat afgane janë duke pësuar shifra rekorde të viktimave nga sulmet e këtij grupi militant.
Pavarësisht një qetësie relative gjatë luftimeve për shkak të reshjeve të mëdha të borës në zonat që kontrollohen nga talibanët, sulmet ndaj pikave të kontrollit po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të vendit.
Mohammad Yousuf, guvernator i distriktit Dawlatabad, ku ndodhi sulmi, tha se dhjetëra luftëtarë të talibanëve e sulmuan një pikë kontrolli, ku i vranë 15 ushtarë dhe agjentë të inteligjencës.
Përgjegjësinë për sulmin e morën talibanët, të cilët thanë se i kanë vrarë së paku 20 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Në kohën kur numri i viktimave të forcave të sigurisë është rritur, qeveria është tërhequr nga qindra pika kontrolli në zona të izoluara pasi funksionimi i tyre nxiste sulme nga talibanët, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.








