Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, i është kundërpërgjigjur ashpër deklaratës së presidentit rus, Vladimir Putin, se gjoja Polonia është pjesërisht përgjegjëse për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, duke e akuzuar shefin e Kremlinit për gënjeshtra të përsëritura.
Morawiecki e publikoi një deklaratë me katër faqe, në të cilën e akuzoi presidentin rus për gënjeshtra të vazhdueshme sa i përket historisë së konfliktit më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit.
Disa ditë më parë, Ministria e Jashtme e Polonisë tha se fjalët e Putinit ngjajnë me propagandën e totalitarizmit stalinist.
Shefi i qeverisë polake reagoi ndaj një fjalimi të Putinit para liderëve të ish-republikave sovjetike, ku për një orë mbajti një ligjëratë për historinë e Luftës së Dytë botërore, duke iu referuar disa dokumenteve të arkivit.
Moraëiecki tha se Putini po luan me historinë në mënyrë që t’i shmanget presionit ndërkombëtar për çështje të tjera, siç janë sanksionet dhe përjashtimi i atletëve rusë nga garat botërore për shkak të dopingut.
Putini është i zemëruar për një rezolutë të miratuar në Parlamentin Evropian, që thotë se Bashkimi Sovjetik, së bashku me Gjermaninë naziste, ishte përgjegjës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








